Zëvendës ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për emisionin Top Story gjatë vizitës në Shqipëri dy ditë para nisjes së fushatës shprehu mbështetje për nismën e Ballkanit të Hapur.

Sipas diplomatit, kjo është një nga përpjekjet e vendit tonë për t’u integruar më pranë fqinjëve dhe në Bashkimin Europian.

Marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur, theksoi Escobar, ndërsa shtoi se tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon dhe po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit.

Grida Duma: Ne ju jemi mirënjohës për këtë. Ndërkohë, investitorët amerikanë nuk janë në atë standard apo atë nivel që do të donim t’i shihnim si shenja mirëqenieje ekonomike dhe shenja të një Shqipërie të sigurtë me stabilitet politik të vazhdueshëm. A vjen kjo sepse investitorët amerikanë nuk shohin interes, interes të lartë në Shqipëri? Apo sepse qeveria shqiptare nuk ka krijuar, le të themi, garancitë dhe standardet e duhura për të mirëpritur, ftuar dhe nxitur investimet amerikane në Shqipëri?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Krejt e kundërta. Mendoj se tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon. Ajo po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit. Mendoj se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara janë trefishuar vitin e fundit. Trefishuar. Dhe investimet amerikane në rajon, veçanërisht në sektorin e energjisë, janë rritur ndjeshëm. Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaja për t’u integruar më pranë fqinjëve tuaj dhe në Bashkimin Europian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive. Tani, ka ende gjëra që mund të bëni që do të ndihmonin në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me gjykatat tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por tani për tani, marrëdhënia, marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur dhe ne shohim gjëra të rëndësishme që po ndodhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Grida Duma: E lumtur që kam këtë mesazh nga ju, sepse ky është një fakt, jo perceptim.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ashtu është.