Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është shprehur se do i drejtohet institucioneve të drejtësisë, lidhur me çështjen e parave ruse për të cilën ajo akuzohet.

Përmes një interviste për News 24, Kryemadhi tha se këto akuza janë të planifikuara nga kryeministri Edi Rama, për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë, përpara zgjedhjeve të 14 majit.

Ajo tha se sipas të dhanave që ka, rezulton se Rama ka kontraktuar një ekspert izraelit për këtë çështje, duke shtuar se e njëjta skemë u përdor edhe në Serbi nga presidenti Aleksandër Vuçiç kundër kundërshtarit politik.

“Ata do të paguajnë mercenarë që të dalin në media dhe të marrin kohë për këtë çështje. Më ka dhënë një mundësi shumë të madhe për të qenë më tepër në media dhe për t’u artikuluar më shumë. Opinioni publik e kupton shumë mirë se çfarë është dhe pse është bërë. Unë do i drejtohem prokurorisë dhe gjykatës për këtë çështje.

Lufta nuk bëhet më me armë, bëhet me viruse, siç ndodhi që u izolua bota nga Covid, si dhe me Fake Neës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Beograd. Vuçiç kishte përballë ish-kryebashkiakun e Beogradit dhe bëri të njëjtën gjë kundrejt tij, kontraktoi një ekspert izraelit për të bërë dezinformim kundër tij.

Nga të dhënat që unë kam bërë del që është kontraktuar një ekspert irzaelit për të më sulmuar. Për mua është një lajm vere. Mamaja ime meqënëse ka qenë pjesë e administratës, ka pasur një kulturë të mbajtjes së dokumentacionit.

Kjo është çështje për ILDKP. Përsa i përket llogarive bankare, Monika Kryemadhi dhe familjarët e saj nuk kanë pasur kurrë llogari jashtë shtetit, aq më tepër që të lidhen me oligarkë rusë. Kryemadhi ka vetëm llogari bankare në Credins Bank, për të cilat gjithçka është publike”, u shpreh Kryemadhi.