Ditën e sotme në Tepelenë u mbajt ceremonia e shpalljes së Luginës së Vjosës park kombëtar i kategorisë II të zonave të mbrojtura mjedisore.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri Rama shprehu se shpallja e Vjosës park kombëtar ishte një ndërmarrje sfiduese e realizuar me kontributin e posaçëm të Ministrisë së Turizmit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe organizatës Patagonia me të cilën qeveria ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi vitin e shkuar.

Kryeministri tha se planeti është në udhëkryq të rrezikshëm dhe se shpreson që kjo nismë të sjelli zhvillim të qëndrueshëm dhe frymëzim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonet përtej saj.

Rrugët e zhvillimit ekonomik e social nuk duhet të ndërpriten për banorët e zonave të mbrojtura, prandaj është e domosdoshme gjetja e partnerëve e aleatëve të ditur, me ekspertizë në këtë fushë.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë me një moratorium mbi gjuetinë, i cili ka ndihmuar ripërtëritjen e faunës në zonat e mbrojtura.

Vendimet e qeverisë në muajin janar 2022 e rritën sipërfaqen e zonave të mbrojtura nga 18% në 21 % të territorit të Shqipërisë, me synimin madhor që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë me 30% të territorit të saj të mbrojtur.
 
Vitin e shkuar, në zonat e mbrojtura u përfshinë për herë të parë Lumenjtë e Shalës dhe Munellës, së bashku me parkun kombëtar “Alpet e Shqipërisë” që bëri bashkë nën një hartë Thethin, Valbonën dhe Gashin.

Duke pasur si përparësi përfitimin e të gjithë brezave, Kryeministri e mbylli fjalën duke theksuar domosdoshmërinë e një qendre për kërkim shkencor dhe kultivim dijesh për menaxhimin e sfidave mjedisore, për të cilat nevojitet bashkëpunim ndërkufitar, edukim i brezave dhe alokimi i duhur i fondeve e kredive të buta për zhvillim.