Tiranë, 24 Mars- Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për ndërmarrjet sociale që mundëson fondin e mbështetjes për integrimin në tregun e punës grupeve të pafavorizuara.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi se ky vendim përcakton mekanizmat financiarë për të mbështetur punësimin dhe rintegrimin e kategorive në nevojë.
“Kjo formë e re e Ndërmarrjeve Sociale vjen për të mbështetur organizatat jofitimprurëse të cilat hapin forma të reja të ndërmarrjeve sociale, me qëllim që të integrojnë në to, ato individë të këtyre kategorive vulnerabël. Një ndër elementet në kriteret që duhet të plotësojnë ndërmarrjet sociale pasi të përfitojnë statusin e ndërmarrjeve sociale është që deri në 50% e të punësuarve të jenë pjesë e e skemave sociale dhe programit të daljes nga programi i ndihmave sociale ekonomike, në kuadër të fuqizimit ekonomik të personave të cilët janë në moshë aktive pune”,- theksoi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli për fondin që u miratua me vendimin e Këshillit të Ministrave.
“Ky vendim krijon fondin e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale në vlerën 240 milion lekë për për periudhën 2023-2025.Format e mbështet ndërmarrjet sociale nëpërmjet subvencionit do të bëjnë të mundur që individë nga kategoritë e disavantazhuara të cilët bëjnë pjesë në programet sociale”,- tha Manastirliu.
Projektvendimi ka për qëllim të mbështesë integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme të grupeve të pafavorizuara. Format e mbështetjes të Ndërmarrjeve Sociale duke parashikuar një fond të dedikuar për Ndërmarrjet Sociale për vitet 2023-2025, në vlerën 240,000,000 lekë. Mbështetja për ndërmarrjet sociale, janë subvencionet për krijimin e vendeve të reja të punës, me pagesën e pagës minimale të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, subvencionin e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, që i përkasin grupeve të pafavorizuara.