Lumi Vjosa është shpallur Park Kombëtar. VKM është marrë ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave ndërsa Mirela Kumbaro tha se sipërfaqja totale e shpallur Park Kombëtar është 12 727 ha.

“Kemi sot vendimin që e shpallim lumin e Vjosës lumin e fundit të egër në Europë park kombëtar. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje 12 727 ha që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore që së bashku me të tre degët e lumit Vjosë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i egër i një lumi në Europë”, tha Kumbaro.
Nga ana tjeter, Qeveria shqiptare ka vendosur të përgatisë dosjen e kandidaturës për të regjistruar lumin e Vjoses si Rezervat Biosferik i UNESCO-s me qëllim mbrojtjen e biosferës të këtij thesari të jashtëzakonshëm kombëtar. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit ende i egër në Evropë.

Njoftimi për regjistrimin e lumit Vjosa si rezervat biosferik u bë nga Ministrja Kumbaro gjatë një vizite që zhvilloi në Shqiperi javen e kaluar Drejtoresha e Pergjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay.

Ujërat blu të lumit Vjosa rrjedhin lirshem dhe pa asnje pengese nga burimi në Greqi e deri sa derdhen në detin Adriatik. Pellgu i lumit Vjosa është habitat për gati 1,100 lloje kafshësh dhe bimësh, përfshi 13 specie shtazore dhe 2 specie bimore të kërcënuara në mbarë globin.