Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur lidhur me projektin që po zhvillohet te Piramida në Tiranë. Për emisionin “Opinion”, Veliaj tha se Piramida do të jetë një nga shkollat publike më të mëdha të teknologjisë në Shqipëri. Ai tregoi disa detaje për mënyrën sesi do të funksionojë kjo shkollë, teksa theksoi edhe ndihmën që Bashkia e Tiranës do të japë për fëmijët që do të zgjedhin këtë shkollë.

“Do të transformohet jo vetëm në estetikë, por edhe në funksion. Sot Piramida është simbol i hapjes dhe i aftësimit të të rinjve në punët e së ardhmes. Do jetë shkolla më e madhe teknologjike për të mësuar kodim, zanatet e së ardhmes. Po të shohësh në të gjithë kampusin, se është vërtet një kampus me 32 kuba. Ne sot kemi 1000 nxënës te pjesa e stadiumit, duam të kalojmë me TUMO në 5000 nxënës. Parimi për çdo vend është që në qoftë se 1% e popullsisë është koduese profesioniste, ai vend ka shpresë për të qenë ideal për punët e së ardhmes. Sot kemi një ambicie që në Tiranë të kemi mbi 10 mijë cuna e goca që kodojnë si profesionistë.
Në katin minus një ka një Unazë që ka hapësira për zyra, për shërbime. Kubat janë të gjitha klasa dhe është i gjithi një labirint, brenda dhe jashtë. E gjitha do jetë një kampus i hapur.

Jemi tek faza ku po mbjellim pemët dhe po bëjmë të njëjtin operacion si tek sheshi “Skënderbej”, pra po i sjellim pemët tashmë të rritura që të mos duket një disbalancë mes një gjëje të bukur të madhe dhe pemëve që janë filiza. Operacioni ka shkuar me sukses deri tani. Është projekti që dua më shumë dhe i kam dedikuar më shumë kohë. Ka qenë vërtet një sfidë për të gjetur financat, për të bërë këto ortakëri, sepse mos harrojmë qe ka qenë një nga ndërtesat më të debatuara”, tha Veliaj.