Tirana nuk ka krahasim me atë që ishte 8 vite më parë. Ky ishte mesazhi i kësaj fundjave i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se në kryeqytet është rikthyer rregulli, ligjshmëria dhe pastërtia.

“8 vjet më parë, kur morëm detyrën, u përballëm me një situatë thuajse anarkie në rrugët e qytetit tonë, me ndërtime pa leje, zona publike të zaptuara si të ishin pa zot, trotuaret ishin kthyer në makth për qytetarët, parkingjet ziheshin nga arkat e birrës. Mungesa e rregullit në qytet ishte një shqetësim kronik për nënat me karroca, rrugët e pasigurta për fëmijët që shkonin në shkollë, këmbësorët që nuk dinin nga të kalonin mes lokaleve që i vendosnin tavolinat e karriget në mes të rrugës dhe shitësve ambulantë që shisnin në kushte jo higjienike, në çdo oborr shkolle dhe në çdo cep pallati apo trotuar. Ky ishte imazhi i një Tirane që askush nuk ndihet krenar kur e kujton”, kujtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se nuk jemi ende aty ky duhet, por padyshim që sot Tirana është shumë herë më e rregullt dhe më e disiplinuar.