Në videomesazhin e kësaj jave, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli edhe për rindërtimin, sidomos të lagjeve të reja që u ringritën në Vaqarr, Baldushk etj., për famljet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

“Ne kemi 5 lagje të reja të rindërtuara pas tërmetit: në Zall Herr, Vaqarr, Baldushk, Ndroq dhe së fundmi në Pezë, të cilat ofrojnë për 202 familje përfituese shtëpi më të mëdha, më të bukura, dhe më të forta, sigurisht pas tërmetit, por edhe një sens komuniteti ku jetojnë bashkë. Komuniteti është përtej një çatie mbi kokë: është një proces i vazhdueshëm, që i bashkon njerëzit, i sjell më afër, i bën më humanë, më njerëzorë, më solidarë,” u shpreh ai.

Përgjatë vitit 2023, tha kryebashkiaku, do të hapet Tregu i madh Bujqësor i Tiranës mes Lundrës dhe Farkës së Madhe.

“Një ndërhyrje proaktive e Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar fermerët dhe tregtarët që jo vetëm që të rrisin prodhimin, por edhe t’i mbështesim të aksesojnë tregun vendor në një treg publik, pa taksat që vë privati, duke ulur edhe koston për ata që janë konsumatorë dhe që do ta marrin të njëjtin produkt të freskët, organik të rrethinave të Tiranës me një çmim më të ulët”.

Veliaj shtoi se investimet për rritjen e cilësisë së shërbimeve do të vijojnë në 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Përkujdesin dhe investimet do t’i vazhdojmë me angazhime të reja edhe në 4 vitet e ardhshme, për të konsoliduar dhe më tepër zonat rurale dhe të gjithë rrethinat e fshatrave të Tiranës. Një fokus të veçantë do t’i japim agroturizmit, një sektor me potencial për ekonominë e fshatit dhe me interes në rritje për turistët që duan të shohin jo vetëm qendrën e Tiranës, por edhe zonat rurale, duke bashkërenduar punën edhe me Ministrinë e Bujqësisë, me AZHBR dhe të gjithë agjencitë e huaja që duan të promovojnë kurorën e Tiranës sot,” tha ai.

“Ne duam gjithashtu të krijojmë edhe Regjistrin Elektronik të Fermerëve. Duam që infrastruktura arsimore në zonat rurale të vazhdojë dhe të ketë vëmendjen tonë të përditshme. Plani ynë në mandatin tjetër është të përqendrojnë shkollat e zonave rurale në hapësira pak më të mëdha dhe kushte moderne, si ato të qendrës së Tiranës. Sa i përket investimeve në infrastrukturë, kemi planifikuar 150 ndërhyrje të reja infrastrukturore shërbimesh në zonat rurale, investime të reja në ujësjellësat e fshatrave, si dhe 150,000 m2 rrugë të asfaltuara çdo vit, në të gjithë zonat rurale të Tiranës”, kujtoi Veliaj.