Qindra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë, kundër marrëveshjes së arritur në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 18 mars në Ohër, pasi thanë se është pranuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Protesta nisi në sheshin “Zahri Pajaziti”, në Prishtinë dhe ka vazhduar deri te objekti i Qeverisë. Ata mbanin pankartat e portretizuara të Kurtit e Glauk Konjufcës, si dhe kërkonin dorëheqjen e Kurtit me arsyetimin se nuk ka mandat të krijojë asociacionin.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, gjatë një fjalimi, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si opozitar ka përdorur Zajednicën për të sulmuar pushtetarët e atëhershëm dhe tash po ia ndërron emrin asaj që ka pranuar dikur.

“Marrëveshja e Ohrit paraqet një faqe të keqe të përpjekjes sonë institucionale… Duhet të vazhdojmë me përpjekjet tona për ta ndalur qeverinë e cila është e qartë që është dorëzuar para nevojës për të mbajtur pushtet. Asgjë nuk ka ndërruar në Kosovë dhe asgjë në Serbi, që ta ndërroj qëndrimin Kosova. E vetmja gjë që ka ndërruar është që kryeministri tani po e donë pushtetin më shumë sesa shtetin. Për neve është e qartë se cilën Kosovë e duam, e duam Kosovën e lirë për të gjithë pa dallime… Kryeministri aktual nuk paska qenë asnjëherë i brengosur për dëmet e vërteta të asociacionit. Kur ka dashur t’i sulmojë kundërshtarët politikë e ka ngjitur një emër asociacionin si “Zajednica”… Ajo çfarë do të mbetet si dëshmi e kësaj kohe dhe kësaj qeverie është se Albini ia ka ndërru mbiemrin vetës. Nga Kurti Albini sot e ka mbiemrin Zajednica dhe është Albin Zajednica”, theksoi ai.

Ai nuk la pa përmendur edhe idenë për ndryshimin e kufijve, duke thënë se Kurti me refuzimin e kësaj ideje ka refuzuar edhe bashkimin me Luginën.

“Refuzimi i marrëveshjes së përcaktimit të kufijve, duke etiketuar shtëpinë e bardhë, duke e përjashtuar Luginën e Preshevës, duke pranuar Zajednicën, në vijën e Titos, nuk është e rastësishme sepse kur e refuzon përcaktimin e kufijve e refuzon dhe bashkimin, ndërsa kur e afirmon Zajednicën nuk ka se qysh përveç me ia largu nostalgjinë Titos”, theksoi Molliqaj.

E në fund të kësaj proteste, nuk mungoi as hedhja e tymit të zi, si dhe mjeteve piroteknike. Molliqaj tha se ky tym i zi tregon zymtësinë e Kosovës që ia ka krijuar Kurti.

“Ajo çfarë ne tani po bëjmë është tym i zi sepse ne besojmë që kjo qeveri ia ka zymtuar perspektiven Kosovës dhe prandaj ftojmë qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të kundërshtojnë këtë marrëveshje e cila paraqet zymtësi dhe gjithçka tjetër. Kjo është fytyra e vërtetë e Albin Kurtit, ai i cili është dorëzuar për të mbajtur pushtetin”, shtoi ai.

Në këtë protestë është parë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe Zafir Berisha e Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate, si dhe Faton Klinaku nga OVL-UCK.