Tre deputetë të Partisë Demokratike kanë formuar një koalicion, duke paraqitur kërkesën për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Bëhet fjalë për deputetët Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edmond Spaho të cilët kanë nënshkruar koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë” për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ata janë regjistruar si përfaqësues të partive Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Bashkimi Demokrat.

Mbetet e paqartë nëse ky koalicion i sapoformuar do t’i shërbejë Sali Berishës për të hyrë në zgjedhje, nëse KQZ e refuzon të jetë pjesë e koalicionit me Partinë e Lirisë.

Kujtojmë se njëkohësisht me këtë koalicion, u depozitua në KQZ kërkesa e Partisë së Lirisë për koalicion me PBDNJ të Vangjel Dules dhe PDK-në e Nard Ndokës dhe PD-në e Berishës.

Por me gjasë KQZ nuk do e pranojë PD-në e Berishës si pjesë të këtij koalicioni, pasi më herët Berisha nuk është njohur si kryetar partie nga Gjykata e Apelit apo edhe vetë KQZ.