Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar planin për të hapur një muze në Tiranë kushtuar historive të qytetarëve të saj që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan David I. Klein për një nga gazetat më të mëdha izraelite ”Times of Israel”.

”Muzeu do të nderojë gjithashtu historinë dhe kulturën hebraike”, shtoi Rama.

Muzeu ”Besa” do të emërtohet sipas kodit të rreptë të nderit që shqiptarët thonë se i motivoi ata të mbrojnë fqinjët e tyre hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe më vonë Gjermania naziste, popullsia e saj hebreje u rrit gjatë gjithë luftës duke u trefishuar më shumë se sa refugjatët që u dyndën atje nga e gjithë Evropa.

Ambasada e Shqipërisë në Berlin lëshoi letra të rreme identiteti për hebrenjtë dhe shumë vendas i fshehën ata në shtëpitë e tyre. Yad Vashem, autoriteti i kujtimit të Holokaustit në Izrael, ka njohur të paktën 75 individë si të drejtë midis kombeve për shpëtimin e hebrenjve.

“Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata”, tha Elva Margariti, ministrja e Kulturës e Shqipërisë.

“Për shqiptarët kjo është BESA; është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë, duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme. Muzeu ‘Besa’ do të jetë një urë komunikimi mes brezave; një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë”, tha ajo.

Shqipëria ka hapur një konkurs me dy faza për të gjetur një projektues.

Muzeu do të vendoset në ndërtesën historike të Shtëpisë së Toptanëve në qendër të Tiranës, të cilën ministrja e përshkoi si një shembull të “arkitekturës më të mirë shqiptare të shekullit XIX”.

Pavarësisht se konkursi sapo ka filluar, Ministria e Kulturës i tha Agjencisë Telegrafike Hebraike se shpreson ta hapë muzeun deri në fund të vitit.

Biznesmeni dhe filantropisti kazako-izraelit Alexander Machkevitch po financon fazën e konkurrimit.

“Është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës”, tha Rama.

“Dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson ai.