14 të shtëna dhe një mesazh drejtuar Lionel Messit, në fasadën e supermarketit në pronësi të bashkëshortes së “yllit” të Paris Saint-Germain, Antonela Rocuzzo në Rosario, Argjentinë. Ngjarja ka trembur familjarët e Antonelës e sigurisht ka alarmuar edhe njerëzit pranë futbollistit.

“Messi, ne po të presim. Javkin është një “narko” dhe nuk do të të ndihmojë”, shkruhet në mesazhin e lënë në vendngjarje, duke aluduar për intendentin Pablo Javkin. Ngjarja ka ndodhur në orën 03:20 të mëngjesit dhe është kryer nga “dy persona me kapuç, të cilët udhëtonin me motor”. Plumbat goditën grilat dhe xhamat e supermarketit, të drejtuar nga kushëriri i Antonelës.

Rruga u mbyll për trafikun, ndërsa Agjencia e Hetimit Kriminal (AIC) e policisë argjentinase po vijon mbledhjen e provave për identifikimin e autorëve.

“Nuk ka të lënduar, pasi për fat të mirë, në atë moment nuk ka qenë askush brenda objektit. Dhe mesazhi nuk është një kërcënim, unë nuk gjej asnjë lloj konsistence në të,” – deklaroi përfaqësuesi i policisë lokale, Iván González, para gazetarëve argjentinas këtë mëngjes.