Ditën e hënë, në mesnatë, përfundon afati për regjistrimin në KQZ Të kandidatëve për kryebashkiakë dhe kandidatëve për këshilltarë bashkiakë, por Partia Demokratike ende nuk ka një vendim se di do të futet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar mbledhje me të gjitha strukturat e partisë, por ende nuk kanë dalë në një konkluzion nëse duhet të nxjerrin kandidatë për kryebashkiakë në të gjitha bashkitë, apo duhet të dalin vetëm me lista për këshilltarë bashkiakë.Dita e sotme pritet të jetë vendimtare, pasi edhe për efekt të kohës PD duhet të marrë një vendim, i cili pritet të jepet sot pas mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, që do të mbahet në orën 12:00.

Pritet me interes vendimi që do të marrë PD, ndërsa vetëm një ditë më parë Alibeaj zhvilloi mbledhje me Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, mbledhje në të cilat pati edhe debate. Deputetët demokratë janë të ndarë, disa prej tyre kërkojnë që të dalin në garën elektorale të 14 majit vetëm me lista për këshilla bashkiakë, por të tjerë thonë se duhet të nxjerrin edhe kandidatë për kryebashkiakë.

Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Dhurata Çupi, Dash Sula, Saimir Korreshi dhe Bledion Nallbati kërkojnë të futen në zgjedhje vetëm për këshillat bashkiakë, por ndryshe mendon vetë Alibeaj, që thotë se i ka gati emrat për 61 bashki dhe në të njëjtë linjë me të qëndrojnë edhe deputetët Oriola Pampuri, Flutura Açka, Arbi Agalliu e Kreshnik Çollaku.

Ajo çfarë u vu re ditën e djeshme në përfundim të mbledhjes ishte një lloj tensioni mes dy figurave më të rëndësishme të PD-së, Alibeajt dhe Gazment Bardhit. Mes tyre u vu re një lloj ndarjeje në ide, ndërsa numri 2 i partisë, Bardhi ka refuzuar ta thotë publikisht qëndrimin e tij, duke thënë se do ta bëjë me dije pasi të merret vendimi sot. Por, Report Tv mësoi se Bardhi është kundër daljes me kandidatë për kryebashkiakë.

Ndërkohë, Jonila Godole dhe Roland Bejko janë dy kandidatura që janë propozuar për Bashkinë e Tiranës. Një kandidaturë e përfolur ka qenë edhe ajo e gazetarit dhe shkrimtarit Rudi Erbara.