Nga Klevis Bakillari

Shpeshherë shoqëria shqiptare është konsideruar e pastrukturuar. Jepen argumenta si: kushtëzimi në përshtashmëri për mbijetesë ndaj invazioneve ndër shekuj, përplasjet e brendshme të natyrës politike, tundimi ndaj joshjeve të invaduesve potenciale,shkëlqimi dhe rënia e pashallarëve,ngritja dhe fundi i feudalëve dhe lufta klasore në totalitarizëm e riformatimi i saj në postkomunizëm. Në çdo këndvështrim ta shikojmë, më shumë sesa e pastrukturuar, shoqëria shqiptare është një shoqëri e përmbysur, ose që ka pësuar apo kryer përmbysje të vazhdueshme. Për shkak të këtyre ‘përmbysjeve’ natyrale, është pamundësuar trashëgimia klasore dhe nuk është arritur të fiksohet një shtresë udhëheqëse ose integruese. Në kushtet e këtyre turbulencave shtresore të shoqërisë dhe mungesës së një orientimi të cilin neve ende sot rendim ta gjejmë, mund të themi me bindje se më shumë sesa e pastrukturuar, shoqëria shqiptare është një shoqëri e rrjedhshme. Kjo shoqëri fluide, iu është përshtatur kushteve të papritura dhe ka marrë formën e enës ekzistenciale të mbijetesës ku është gjendur.
Megjithatë në vorbullën e pandalshme socio-politike, shoqëria është mbajtur fortë rreth një elementi unitar i cili mund të ketë mundësuar edhe vazhdimësine apo ekzistencën e saj. Ky element është ‘reagimi i mirë ndaj të keqes’. Shoqëria shqiptare reagoi mirë dhe kujdesshëm kur ndaj ngjarjeve historike të dyndjeve sllave mbrojti territorin, kur përgjatë pushtimit otoman mbrojti gjuhën,kur përgjatë borgjezisë mbretërore mbrojti shpirtin luftarak parlamentar e sidomos gjatë sistemit monist mbrojti vetëdijen e lirisë si shqisë të interceptimit të demokracisë.

Ajo vazhdoi të perfeksionojë sjelljen në demokraci duke mbrojtur orientimin perëndimor. Idealet politike perëndimore dhe atdhetare kanë qënë dhe mbeten të forta për shqiptarët. Është e papranueshme të pohojmë të kundërtën nëse njohim rrugën historike të Shqipërisë. Mirëpo,edhe pse me një zell të ndezur europian, shoqëria nuk ka arritur ende, të kryej integrimin e duhur,cilësor demokratik. Për t’i rënë shkurt kësaj çështje, sociologë e analistë, fajësojnë shoqërinë shqiptare,pra masën,për këtë aritmi zhvillimi social,politik, ekonomik. Pra, sjelljet e masës kanë bërë që Shqipëria në tërësinë e saj, të humbë ritmin e zhvillimit, krahasuar me vendet përreth.

Nuk mendoj se ky arsyetim qëndron. Së pari, sot vendet përreth nuk janë në hapin tonë integrues. Nëse gjurmojmë rrugën historike shqiptare, do të shohim se ajo ka patur gjithnjë drejtimin perëndimor. Në çdo aspekt. Çështja është se si është trajtuar ky vullnet i shoqërisë, në etapa specifike, nga klasat politike. Shqiptarët janë tepër interaktiv, vital dhe e duan përparimin, rendjen pas zhvillimit. Mirëpo, rrugëtimi historik ka patur deformimet stacionare. Kjo për arsye të ‘klasës timoniere’, pra klasës politike e cila, si gjithë masa, ka dalë nga përmbysjet sociale. Si e tillë, klasat udhëheqëse në etapa të ndryshme, kanë ndryshuar edhe stacionet historike në rrugëtimin e shtetit Shqiptar. T’i përmendim nuk ia vlen sepse të shkuarën s’mund ta ndryshojmë,por të ardhmen mund ta ndërtojmë. Krahasuar me të gjitha rendet politiko-shoqërore që ekzistojnë në botë, rendi demokratik na garantonë liritë e duhura për të vepruar e korrigjuar gjithçka është bërë keq apo është zhbërë në të shkuarën. Sepse demokracia garanton dhe mbronë me ligj lirinë e ndërgjegjësuar për të gjithë. Postkomunizmi do të mbetet gjatë në memorien kolektive e historike, si faza e kaosit dhe amatorizmit politik të brendshëm. Ne trashëguam epërsinë e ‘të ashpërit’ dhe kultivuam kultin e individit.Ne mbollëm nepotizëm dhe korrëm korrupsion. Ne me urdhëra politik e selektiv, sulmuam veprat e paraardhësve tanë, sulmuam pronën, cënuam lirinë e tjetrit, ne shkatërruam si mendjeprishur trashëgiminë tonë. Koha të ndahemi përfundimisht nga përçarja, zhurma dhe zhvatja. Ne duhet të krijojmë qëndrueshmëri e trashëgimi që mos të përjetojmë më përmbysje përmbytëse sociale.

Ekspozimi ndaj rrethanave historike agresive ka zmadhuar rolin e elitave politike. Ato janë parë si Zot, si shpëtimtarë! Këto situata u kanë dhënë superfuqi e superpushtet elitave politike, të cilat jo rrallëherë janë shndërruar në pushtues të brenshëm! Nga ana tjetër, kjo dukuri ka rritur oportunitetin brenda shoqërisë. Ky oportunitet i rritur, është përdorur nga elitat politike për të materializuar vullnetin e tyre. Një vullnet në favor të pakicave dhe kulisave!

Koha më e mirë për të bërë korrigjime, është sot. Kjo për faktin se në horizontin tonë perëndimor, sot ne e shohim Europën, duke u afruar. Jemi në fazën transformuese të demokracisë, duke e formësuar si rend politiko-shoqëror të rregulluar me rregulla. Shqipëria ka nevojë për hapësirë ku të mund të zhvillohet opozitarizëm konkurues. Kjo opozitë që e ka në gjenetikë problemin me pronën e ka uzurpuar pa leje këtë hapësirë. Koha që t’i jepet hapësirë jetës kulturore, që jeta e shqiptarëve të mos jetë bosh e të krijojë varësi virale ndaj politikës regresive dhe surrealizmit! Të gjitha këto defekte, ne i kemi peshqesh nga peshkaqenët politikë e mediatik. Në rrafshin kolektiv,ne jemi çfarë konsumojmë mediatikisht e politikisht.Koha që t’ju tërheqim pas, superfuqinë e dhuruar mediave politike mediokre e politikanëve dhunues, të cilat me oreksin e tyre të papërmbajtshëm, kanë çuar shoqërinë shqiptare në një anoreksi kulturore e apati politike. Koha të mos mbetemi konsumatorë,por, të bëhemi konsuma(k)torë politik. Që shoqëria të mos mbetet një lëndë e cila merr formën e enës ku hidhet, ne duhet të braktisim e shfuqizojmë aktorët e ëndrrës së keqe postkomuniste.

Ne nuk mund t’i afrohemi Europës pa iu larguar politikanëve shkatërrimtar! Ne dimë të reagojmë mirë ndaj të keqes sepse e dimë që të godasësh qiellin me dy gishta, do të thotë marrëzi.