Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj nisën ditën e sotme takimet me sipërmarrjen për rritjen e mëtejshme të pagave.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se: “ Vendosëm të bëjmë këtë si takim të parë të një procesi që duam ta kthejmë në një dialog kombëtar me sipërmarrjen dhe gjithë shoqërinë sepse jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas vetes. Tani më në fund sipërmarrja po shikon se lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore është në territorin e vet. Nëse një punonjës ka mundësinë dhe perspektivën që duke u larguar ta gjej punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon nga Shqipëria, pasi është e ndërtuar për tregun këtu. Tani dilema është të rroj apo të vdesë dhe kjo në fakt është dilemë e thjeshtë, duhet të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe ata të rrojnë. Këtë dialog do e zhvillojmë si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës, të punonjëseve.
Rritja e pagës minimale sot është 40 mijë lekë të reja, nuk e kishim programuar këtë rritje. Mali i Zi bëri rritje të pagës minimale përtej logjikës dhe sot është në një situatë dramatike ekonomike dhe e ka borxhin mbi 100%. Prandaj paga minimale ka një logjikë të veten, po nga ana tjetër ne nuk mund të vazhdonim as me programin që nuk parashikoi as pandemi, as luftën në Ukrainë. Ne këtë kushte nuk mundet dot të mos reagonim, kjo rritje e pagës minimale shkon përtej të gjitha programeve elektorale. Ne e dimë shumë mirë se pagat reale në Shqipëri janë më të larta se ato që janë deklaruar, njihet ky fenomen. Sipërmarrësit kujtojnë se ia hedhin shtetit, duke u marrë sigurimet shoqërore punëtorëve, jo nuk do e kenë të ardhmen e sigurt sepse do u ikin punëtorët.”

Në vijim Rama shtoi se: “Është e pamundur që krahasimi të bëhet me pagat e Gjermanisë dhe Anglisë, vërtet kanë paga shumë të larta po nëse i hynë shpenzimeve të tjera totale, në fund rezultati është ndryshe. Po ama kjo nuk mjafton për t’i bindur njerëzit, pasi atje kanë dinjitetin dhe respektin që i jep kompania punonjësit. Dhe pikërisht kjo gjë duhet të ndryshojë në Shqipëri. Është koha që sipërmarrja të ndërgjegjësohet se duhet të hedhë një hap të rëndësishëm përpara, në aspektin e pagave, të trajtimit e respektit të punonjësve dhe trajnimit të tyre.”