Nga Blendi Kajsiu

Spektakli i fundit politik që na ka dhuruar kreu i KQZ-së Celibashi na ka treguar edhe një herë atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve tashmë e kanë të qartë: KQZ dhe procesi zgjedhor në përgjithësi duhet de-politizuar. Menxhimi i procesit zgjedhor nga aktorë dhe institucione të zgjedhur nga politikanët cënon rëndë besueshmërinë e këtyre institucioneve dhe mbyll skenën politike shqiptare.

Institucionet tona zgjedhore si KQZ-ja dhe komisionet zgjedhore janë ngritur mbi teorinë “hajduti kontrollon hajdutin”. E thënë ndryshe idea është që komisionerët e PS-së kontrollojnë ata të PD-së dhe ansjelltas. Për këtë arësye zgjedhjet menaxhohen nga përfaqësuesit dhe militantët e partive kryesore.

Problemi është se kjo filozofi ka dështuar. Nga njëra anë ajo eleminon mundësinë e daljes së partive të reja sepse hajdutët bëhen bashkë dhe vjedhin votat e aktorëve të rinj. Nga ana tjetër, sikurse na demonstroi Celibashi, KQZ-ja nuk ka fare besueshmëri sepse antarët e saj zgjidhen jo për profesionalitetin apo integritetin e tyre ligjor dhe administrativ por sipas oreksit politik të rradhës.

Aktorët politik nuk kanë fare interes që KQZ-ja të jetë e besueshme, sepse përndryshe nuk mund të denoncojnë vjedhjen e zgjedhjeve kur humbasin. Në rastin konkret Celibashi u zgjodh në krye të KQZ-së nga Sali Berisha (në vend të Ilir Rusmajlit). Edhe pse ishte po Berisha që 20 vite më parë (sa shpejt ikën koha!) e denonconte Celibashin si bandit, hajdut dhe manipulues votash (shiko https://tvklan.al/sali-berisha-akuzon-kreun-e-kqz-celibashi-per-manipulim-te-zgjedhjeve-15-nentor-2003/)

Ndaj nuk është cudi sot që Celibashi nuk ka besueshmëri as majtas, as djathtas dhe as në mes. Ai është vendosur në krye të KQZ-së pikërisht sepse ka shërbyer herë majtas dhe herë djathats sipas mandatit politik që ka marrë. Dhe ky nuk është problem i Celibashit si person por i llogjikës perverse të formësimit dhe funksionimit politik të KQZ-së.

Por skandali i sjelljes së Celibashit sot nuk është mos-regjistrimi i Berishës si kryetar i PD-së. Edhe vetë Berisha nuk ka asnjë inat real me Celibashin sepse e ka shumë të qartë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit ai nuk e ndihmon dot. Edhe sikur KQZ-ja e Celibashit të regjistronte PD-në e Berishës ky vendim do rrëzohej menjëherë në Komisionin e Ankimimit dhe Sanksioneve – KAS (ku ironikisht ndodhet Rusmajli). Këtë realitet Berisha e di mirë dhe gradualisht po e kupton edhe brezi i ri i berishistëve që filloi të zemërohej seriozisht me Celibashin.

Skandali i aktrimit politik të Celibashit nuk qëndron as tek mohimi i regjistrimit të PD-së zyrtare. Edhe problemin e pjesmarrjes së PD-së zyrtare e zgjidh Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS). Herët a vonë, si Berisha edhe PD-ja zyrtare do marrin pjesë në zgjedhje, ndaj nuk ka asnjë skandal real në këtë pikë.

Skandali i vërtetë i Celibashit ishte vendimi i tij për të mos regjistruar në zgjedhjet lokale forcën e re politke Lëvizja Bashkë dhe kandidatin e saj për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Arlind Qorri, në kundërshtim me frymën e ligjit dhe me vetë precedentin e KQZ-së. Ky vendim u mbajt në fuqi edhe nga KAS (një tjetër institucion tejet i politizuar).

Sot Lëvizja Bashkë u pengua nga KQZ-ja e politizuar. Nesër kur të futet në zgjedhje votat e saj do vidhen nga bashkëpunimi i komisionerëve PS-PD-LSI. Dicka e tillë ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 me Lëvizjen Vetvendosja. E njëjta gjë ka ndodhur më parë me partinë Fryma e Re Demokratike të Bamir Topit. Zhurma shurdhuese PS-PD, apo Rama-Berisha-Basha, shërben për të fshehur realitetin skandaloz të bashkëpunimit PS-PD-LSI në vjedhjen e votave të aktorëve të rinj politik.

Institucionet tona zgjedhore janë ndërtuar për të mbajtur dhe ricikluar në pushtet të njëtën klasë politike që kemi prej 30 vitesh. Sot KQZ-ja e Celibashit dhe komisionet zgjedhore partiake i shërbejnë klasës politike ekzistuese. Mosfutja e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet lokale është shembulli i fundit i këtij bllokimit të skenës sonë politike. Është një akt që lehtëson si pozitën edhe opozitën.

Mungesa e alternativave të reja së pari lehtëson ndjeshëm fitoren e socialistëve në Tiranë. Të gjitha sondazhet tregojnë se avantashi i Erjon Veliajt përballë kandidatit berishist Belind Këllici është i thellë dhe ka pak shanse të ngushtohet. Ndaj socialistët dhe Veliaj janë komod me një kandidat të opozitës qoftë vuliste, qoftë berishiste. Për të parën socialistët nuk shqetësohen se ka pak vota, për të dytën e kanë gati ligjërimin anti-berishist. Ndërkohë një kandidaturë alternative si Arlind Qorrri është e paparashikueshme si në ligjërim edhe në elektorat, sidomos po të kemi parasysh nivelet e larta të pakënaqësisë me qeverisjen socialiste.

Por edhe opozita aktuale, vuliste apo berishiste, është e qetë me mungesën e alternativave sepse përndryshe ajo humbet monopolin e opozitarizmit. Imagjinoni efektin politik të një kandidati të ri alternativ në Tiranë që edhe nëse nuk fiton merr më shumë vota se PD-ja e vulës, se LSI-ja apo se kandidati berishist. Ndaj Lëvizjen Bashkë dhe Arlind Qorrin nuk e do as PS-ja, as LSI-ja dhe as PD-ja! Nuk është aspak rastësi që gjykatësi që e zvarriti pa fund dhe në shkelje flagrante të ligjit regjistrimin e Lëvizjes Bashkë në Gjykatën e Tiranës është i famshmi Zhukri (që i dha vulën e PD-së Berishës).

Për të gjitha këto arësye edhe nëse Lëvizja Bashkë futet në zgjedhjet lokale nesër apo në zgjedhjet parlamentare pasnesër, komsionerët e PS, PD dhe LSI/LP do punojnë vrullshëm për vjedhjen e votave të saj. Institucionet tona elektorale janë ndërtuar për të penguar që në gjenezë lindjen e forcave të reja politike, herë duke penguar formalizimin e tyre, në gjykatë dhe KQZ, dhe herë duke u vjedhur votat nëpërmjet komisionerëve politik.

Janë këto institucione zgjedhore, së bashku me një sistem elektoral që penalizon aktorët e rinj politik, që riprodhojnë statu kuonë e shëmtuar politike ku ndodhemi. Kemi tashmë mbi dy dekada që vazhdojnë të merremi me Berishën, Metën, Ramën dhe Celibashin. Kemi një sistem politik që si alternativë ndaj qeverisjes së korruptuar dhe autoritare Rama na ofron shpëtimtarin anti-korrupsion Ilir Meta dhe si shpëtimtarin e demokracisë Sali Berishën.

Në këto kushte, ndërtimi i institucioneve zgjedhore të depolitizuara është një nga ndryshimet e domosdoshme (ndonëse jo të mjaftueshme) për të hapur dhe ajrosur skenen tonë politike. Ka plot shembuj në botën në zhvillim (stadi ku ndodhet Shqipëria) ku zgjedhjet menaxhohen shumë mirë dhe qetë nga qytetarët e thjeshtë që zgjidhen me short. Nuk është aspak e nevojëshme, dhe aq më pak e dobishme, që zgjedhjet të menaxhohen nga militantët partiak.

Ashtu sikurse ka plot shembuj në botën në zhvillim të institucioneve zgjedhore si KQZ që nuk janë aspak politike por pjesë e administratës publike, ku antarët zgjidhen me konkurs publik, të hapur dhe transparent. Si të tilla ato funskionojnë mjaft mirë, me efikasitet dhe kanë besueshmëri të lartë në elektorat.

Natyrisht lexuesit skeptik me të drejtë do më thonë që dicka e tillë është e pamundur në Shqipëri me korrupsiuonin, krimin dhe drogën që na ka mbytur. Ndaj i ofroj si shembull rastin e Kolumbisë ku jetoj, dhe politikën e së cilës e studjoj prej vitesh, ku komisionerët zgjidhen me short nga qytetaria për të bërë punën e komisionerit në ditën e zgjedhjeve (është detyrim ligjor) dhe ku KQZ-ja është një institución teknik i administratës publike me besueshmëri të lartë në publik.

Në Kolumbinë që ne aq shumë e paragjykojmë rezultati i zgjedhjeve të përgjithëshme (presidenciale) zbardhet brenda ditës dhe pa kontestime nga palët. Flasim për një vend me 50 milion banorë dhe 1 100 000 kilometra katrorë (Shqipëria është 28 mijë kilometra katrorë). Ndërkohë klasa dhe skena politike kolombiane është rigjeneruar vazhdimisht në 30 vitet e fundit, sa majtas edhe djathtas, sepse aty dalin vazhdimisht parti dhe aktorë të rinj politik. Është një vend që përballet me shumë nga problemet tona që nga droga deri te krimi i organizuar dhe përtej.

Ndaj duhet të kuptojmë se sistemi dhe institucionet tona zgjedhore nuk janë aspak produkt i “realiteti shqiptar” por i vullnetit të klasës sonë politike për tu ricikluar pambarimisht. Ndaj nëse duam realisht ta shpëtojmë dhe rinovojmë demokracinë tonë, në mënyrë që në 20 vitet ardhëshme mos të debatojmë përsëri për Ramën, Metën, Berishën dhe Celibashin, duhet të fillojmë të kërkojmë ndërtimin e institucioneve që i japin dhe nuk i marrin frymën demokracis sonë. Le të fillojmë me depolitizimin KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore!