Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se satelitët që Shqipëria ka dërguar në hapësirë mund të sigurojnë informacion edhe për kompanitë private që do të shfaqin interes.
“Pasi të kemi ndërtuar procedurën, mund ta hapim për përdorim edhe për investitorët privatë të interesuar”, tha ministri gjatë një konference për mediat të premten, teksa raportoi disa vendime të marra nga qeveria.
Satelitët janë ngritur në fluturim në janar të këtij viti dhe Peleshi tha se janë marrë edhe imazhet e para. “Çdo javë, të paktën katër ditë në javë, marrim imazhe të cilat përpunohet nga Agjencia për Informacionin Gjeohapësinor”, tha ai.
Peleshi tha se imazhet më pas përpunohen më gjuhën e kuptueshme nga çdo institucion, por gjithsesi sipas tij procesi i edukimit të këtyre institucioneve për të kuptuar dhe vënë në përdorim të dhënat satelitore kërkon kohë.

“Ne bëjmë takime të disa niveleve të këtyre institucioneve që mund të përdorin imazhet. Gjithë projekti i blerjes së shërbimit satelitor është bërë që në gjeneze në përputhje me interesat e institucioneve”.