Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana) mes Kasharit dhe Vaqarrit është një tjetër zhvillim me rëndësi strategjike që po nis të ndërtohet në një hapësirë deri në 100 hektarë sipërfaqe, për të gjitha bizneset ndërkombëtare që duan të investojnë në Tiranë, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e automjeteve dhe turizmit.

“Ky projekt është fryt i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, që do të gjenerojë 5 deri në 7 mijë vende pune të mirëpaguara, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Zona e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA) përbën një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Përmes TEDA Tirana, bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus tek industritë prodhuese, si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj.

Një ditë më parë kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se së shpejti do të hapen thirrjet e para për bizneset që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Zonës së Lirë Ekonomike. Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe bashkia kanë krijuar një stacion, i kanë dhënë një status ligjor kësaj zone të lirë ekonomike, ku një kompani mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u akomoduar në të.