Dy destinacione të njohura turistike në vend do të synohet të përmirësohen në aspektin e infrastrukturës dhe aksesit për të rritur potencialin e tyre.

Bëhet fjalë për Pogradecin dhe Pustecin që do të jenë dy bashkitë e para por jo të vetmet në një projekt të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Aktualisht ky Fond ka kërkuar një konsulent i cili do të ofrojë shërbimet e tij sa i takon përmirësimit të kushteve të jetesës si dhe zhvillimit të potencialit turistik për zona të përzgjedhura në këto dy bashki por dhe vendndodhje të tjera në të gjithë Shqipërinë që do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.

“Masat do të synojnë rritjen ekonomike rajonale në bashkitë e përzgjedhura me investime të qëndrueshme, miqësore ndaj mjedisit dhe klimës në infrastrukturë.

Projekti ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe rurale dhe përmirësimin e vendeve turistike, të tilla si rehabilitimi i ujërave dhe shëtitoreve, përmirësimi i fasadave, rikualifikimi urban i shesheve publike, rrugëve hyrëse, hapësirave të parkimit, si dhe përmirësimi i furnizimit me ujë dhe tërheqjes së ujërave të zeza”, thuhet në përshkrimin e detyrave të pritshme nga konsulenti.

I njëjti nënvizon se rezultati i pritshëm është ofrimi i destinacioneve të reja turistike, plotësisht të mobiluara dhe të aksesueshme.

“Faza e parë përfshin investime në zona tashmë të përcaktuara, bazuar në koncept studimet ekzistuese, në Bashkitë Pogradec dhe Pustec me një kosto prej 20-30 milionë euro.

Paketa pune shtesë prej 40-50 milionë euro mund të përcaktohen në zona të tjera. Paketa shtesë pune prej 40-50 milionë euro mund të përcaktohen në zona të tjera si Himare në Detin Jon dhe pjesë të tjera ende të pazgjedhura të vendit” thuhet në njoftimin e fazës së parakualtifikimit.

Ndër detyrat e konsulentit do të jenë vlerësimi i koncept studimeve ekzistuese, përgatitja e koncept studimeve për paketat e punës ende të papërcaktuara, përgatitja e projekteve për ndërtimin e infrastrukturës, mbështetja e zbatimit të planeve t5ë marrjes së tokës dhe zhvendosjes, mbikëqyrja e ndërtimit e një sërë aktivitetesh të tjera.

Fillimi i shërbimeve të konsulencës sipas detyrës aktuale është planifikuar për tremujorin e dytë të vitit 2023. Kohëzgjatja e planifikuar e projektit për detyrën aktuale është 3 vjet (pa Periudhë përgjegjësie në defekt, pa fazë ndërtimi të paketave shtesë të punës).