Franck Ribery nuk është më pjesë e fushës së blertë, por mbetet pjesë aktive në futboll duke qenë se mban rolin e bashkëpunëtorit teknik te Salernitana, aty ku edhe mbylli karrierën. Së fundmi, francezi foli për patriotët e tij te Juventus, Paul Pogba dhe Adrien Rabiot.

Ish-sulmuesi pati vlerësime të shumta për dy mesfushorët ndërsa nuk harroi të vlerësonte edhe Di Maria për të cilin u shpreh se së bashku me Arjen Robben, në 20-vitet e fundit kanë qenë më të mirët në rolin e tyre.

“A kam folur me Pogba? Po, folëm para se ai të rikthehej në fushë kur ishte ndeshja e Juventusit me Torinon. Pogbas i duhet vetëm të rigjejë vazhdimësinë sepse ai është një kampion dhe këtë nuk mund ta diskutojë askush. Rabiot? Ai është një lojtar i rrallë, shumë i fortë. Ka një fizik për t’u vlerësuar dhe më duket në rritje të vazhdueshme. Luan mirë me të dyja këmbët dhe ka një goditje të fortë. Kur është në më të mirën e tij, ai fluturon.

Di Maria? Ai i ngjason shumë Robben. Janë të dy lojtarë që luajnë me të majtën dhe kanë qenë më të mirët në atë rol për 20-vitet e fundit. Argjentinasi është në kategorinë e lojtarëve që mund të koonsiderohen artistë. Atë që pjesa më e madhe e bëjnë me duar, Di Maria e bën me këmbë. Nuk më surprizon impakti që ai k ate Juventus”, u shpreh Ribery.