Së paku 8 persona janë dërguar në spitalin e Pejës për probleme me frymëmarrjes pas zjarrit të madh që bëri shkrumb e hi objektin ngjitur me ELKOS-in. Zjarri që ka rënë në orët e para të mëngjesit ka përpirë nga flakët një godinë, nga ku deri më tani raportohen 8 persona me probleme të renda në frymëmarrje për shkak të tymit.

Fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim për viktima por njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe momentalisht, pos dëmeve materiale, nuk dihet nëse ka të lënduar.

Personat e dërguar në spital po marrin ndihmën e nevojshme nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës, i cili njoftoi si më poshtë

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë.

Pacientët janë duke u trajtuar tek Spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi”, thuhet në njoftim.