Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias ka reaguar ndaj sulmit të paprecedentë që u krye orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj selisë së Top Channel, ku mbeti pa jetë roja i sigurisë Pal Kola.

“Jam e tmerruar nga sulmi i sotëm me armë kundër Top Channel në Shqipëri. U shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, punonjësit të sigurisë, i cili u vra gjatë këtij sulmi të urryer. Kam besim se autoritetet do të identifikojnë dhe do të ndjekin penalisht përgjegjësit, pa humbur kohë”- u shpreh përfaqësuesja e OSBE.

Rreth orës 01:00 të pasmesnatës së të dielës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Channel”. Si pasojë e të shtënave humbi jetën roja i sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Policia e Shtetit po punon për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të vënë para drejtësisë autorët.