Teksa ka mbetur vetëm një javë nga takimi i nivelit të lartë kosovë-serbi në ohër, Partitë opozitare në kosovë janë shprehur me skepticizëm ndaj qendrimit që ka mbajtur kryeministri albin kurti.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress se kryeministrit Kurti i ka mbetur të shkojë vetëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pasi konsideron se ai është pajtuar me gjithçka çka ka plani franko-gjerman, përfshirë edhe zbatimin e e tij.

“Kryeministri tashmë është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe vetëm është çështje ditësh se kurdo të mbahet ceremonia e nënshkrimit”

Më kritikues karshi kryeministrit është deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti. Ai është shprehur pesimist se Kurti do të shtyjë përpara agjendën e tij teksa ka theksuar se i vetmi negocim që do të bëhet do të jetë modaliteti për statusin e Kishës Ortodokse dhe vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

“Këta qeveritarët që i kemi nuk janë në gjendje të negociojnë asgjë, të imponojnë apo çojnë parapara asgjë nga ana e tyre. Ky draft që është dakorduar në Bruksel është në qarkullim në medie dhe publik që nga shtatori i vitit të kaluar. Këta nuk janë në gjendje të negociojnë asnjë gjë… Çfarë degradimi ky është i procesit që tash dialogu të bartet në Shkup dhe bartet vetëm me negociuar datën se kur themelohet Asociacioni edhe këtë statusin e veçantë të kishës ortodokse serbe ose modalitetet e vetë menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”

Analisti i procesit të dialogut, profesori universitar në Britani të Madhe, Seb Bytyçi, thotë se Kosova e ka komoditetin që të negociojë më ashpër sa i përket aneksit të marrëveshjes me Serbinë.

“Tek aneksi mund të arrihet një pajtim që ka të bëjë për implementimin e marrëveshjes brenda disa javëve apo mund të zgjatet edhe për disa muaj. Tash Kosova është në një pozitë më komode ku është arritur pajtimi për planin në përgjithësi që nënkupton njohjen de-facto nga Serbia. Gjithashtu kjo nënkupton edhe se nuk mund të ketë kthim prapa për Serbinë. Kjo ia jep Kosovës një komoditet që të negociojë më ashpër sa i përket aneksit të implementimit ku përfshihen edhe çështjes që kanë të bëjnë me Asociacionin”

Më 18 mars në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahet takimi i mes kryeministrit të kosovës, albin kurti, dhe presidentit serb aleksander vucic ku pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij.