Në raste emergjencash, fatkeqësish apo situatash të tjera të krize, jeta dhe mirëqenia e popullatës së prekur duhet të mbrohet gjithmonë, dhe veçanërisht në çastet dhe orët e para menjëherë pas goditjes apo ekspozimit, pasi koha është me rëndësi jetike për shpëtimin e jetëve njerëzore.Ballkani Perëndimor përballet shpesh me rreziqe fatkeqësish natyrore, të tilla si përmbytjet apo tërmetet. Për më tepër, pandemia ende në vijim e COVID-19 tregoi qartësisht se sa e rëndësishme është siguria strukturore dhe funksionale e objekteve shëndetësore në përballjen me emergjencat shëndetësore.

Për këtë qëllim, autoritetet shëndetësore dhe spitalore nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me mbështetje teknike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dhe asistencë financiare nga Bashkimi Europian (BE) zhvilluan së fundmi një trajnim në Durrës lidhur me përdorimin e mjetit të Treguesit të Sigurisë Spitalore (Hospital Safety Index – HIS) për vlerësimin e përbërësve strukturorë, jo-strukturorë dhe funksionalë të spitaleve, si dhe zhvillimin e planeve spitalore të përgjigjes ndaj rreziqeve dhe fatkeqësive.
“Aftësia për ofrimin pa ndërprerje të shërbimeve shëndetësore përmes një infrastrukture të tillë kyçe, siç janë objektet shëndetësore, në këto lloj situatash është një çështje jete a vdekjeje,” thotë Jetri Regmi, Specialiste për Përgatitjen në Zyrën Rajonale të OBSh-së për Europën. “Spitalet duhet të jenë në gjendje të ruajnë kapacitetin maksimal të funksionalitetit të tyre gjatë, dhe menjëherë pas urgjencave dhe fatkeqësive të mëdha,” shton ajo.

Treguesi i Sigurisë Spitalore është një mjet që përdoret për vlerësimin e sigurisë së përgjithshme të spitaleve dhe përcaktimin e mundësisë së funksionimit të tyre të vazhdueshëm në situata emergjente. Treguesi i sigurisë u zhvillua nga OBSh-ja në vitin 2009 si një mjet ndërkombëtar për vlerësimin e sigurisë së spitaleve, duke marrë parasysh mjedisin përkatës spitalor dhe rrjetin e shërbimeve shëndetësore që ekzistojnë në çdo vend.“Ky është një mjet praktik që përdoret nga autoritetet shëndetësore dhe partnerët multidisiplinorë për të vlerësuar probabilitetin që një institucion shëndetësor të vijojë të jetë i sigurt dhe funksional në situata emergjente, dhe përfshin formularë vlerësimi, një udhëzues për vlerësuesit dhe një përllogaritës të treguesit të sigurisë,” thotë Dr. Kai von Harbou, Specialist në Departamentin e Përgatitjes për Sigurinë Shëndetësore në zyrat qëndore të OBSh-së.

Ai kontribuon në arritjen e një prej objektivave të Kuadrit Rregullator Sendai për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë 2015-2030, i cili synon reduktimin e ndjeshëm të dëmtimit nga fatkeqësitë të infrastrukturës kritike dhe ndërprerjen e shërbimeve bazike, mes të cilave edhe objektet shëndetësore dhe arsimore, përfshirë edhe nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshmërisë së tyre deri në vitin 2030.
Për Dr. Abebayehu Assefa Mengistu, Koordinator i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së në Ballkan, “Për t’ia arritur kësaj dhe për të mbrojtur sigurinë e objekteve tona shëndetësore nga fatkeqësitë, spitalet duhet të krijojnë sisteme, procedura dhe kapacitete përgjatë gjithë gjatësisë së hallkave të ndryshme përbërëse të ciklit të menaxhimit të emergjencave.

Ai thotë më tej se, “Këto trajnime na ndihmojnë të përgatitemi për të mbrojtur sigurinë e spitaleve tona nga fatkeqësitë, duke ulur rreziqet, duke mbrojtur objektet shëndetësore, dhe çka është më e rëndësishmja, duke shpëtuar jetë njerëzore. OBSh-ja dëshiron të falënderojë Bashkimin Europian për mbështetjen e tyre bujare financiare në kuadrin e Programit EU DG Near, i cili ndihmon në organizimin e këtyre aktiviteteve të ndërtimit të kapaciteteve për shkalljen e përgatitjes për emergjencat dhe rritjes së sigurisë së objekteve shëndetësore për t’u përballur me emergjencat dhe fatkeqësitë në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Dr. Mengistu.

OBSh-ja në mbështetje të objekteve shëndetësore të sigurta në raste emergjencash dhe fatkeqësish
Me qëllim që një institucion shëndetësor të ruajë paprekshmërinë, aksesueshmërinë dhe funksionimin me kapacitet maksimal përpara, gjatë dhe menjëherë pas një rasti emergjence ose fatkeqësie, ai mbështetet në disa faktorë kyç, më i rëndësishmi prej të cilëve është një infrastrukturë shëndetësore, e cila mund t’iu bëj ballë të gjithë llojeve të rreziqeve. Këtu përfshihen gjithashtu:

• barnat dhe pajisjet mjekësore që janë thelbësore, të aksesueshme dhe të mbrojtura nga dëmtimi prej të gjithë rreziqeve (përfshirë edhe pasojat nga ndryshimi klimatik);
• infrastrukturën komunitare dhe shërbimet kritike (sic janë uji, ushqimi, energjia elektrike dhe furnizimet mjekësore) që janë të disponueshme për të mbështetur ofrimin e shërbimeve shëndetësore; dhe
• punonjësit shëndetësorë që mund të ofrojnë ndihmë mjekësore në kushte të sigurta dhe të mbrojtura atëherë kur, dhe aty ku nevojiten.
Programi i OBSh-së për objekte të sigurta shëndetësore mbështet Vendet Anëtare për:
• zhvillimin e politikave dhe rregulloreve kombëtare për mbrojtjen e objekteve shëndetësore nga fatkeqësitë;
• mbrojtjen e jetës së banorëve të një objekti shëndetësor;
• mbrojtjen e investimit ekonomik, si edhe funksionalitetit të objekteve të reja dhe ekzistuese, si dhe atyre që janë identifikuar si prioritare (p.sh., spitali qendror) brenda rrjetit të shërbimeve shëndetësore;
• hartimin, organizimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave si dhe të rregulloreve kombëtare dhe ndërkombëtare për sigurinë e objektet shëndetësore; dhe,
• mbështetjen e objekteve shëndetësore të sigurta, me efikasitet energjetik dhe të qëndrueshme ndaj rreziqeve të ardhshme, përfshirë edhe ndryshimet klimatike.
Për informacion të mëtejshëm rreth Treguesit të Sigurisë Spitalore të OBSh-së dhe Programit të OBSh-ë për Objekte të Sigurta Shëndetësore lexoni këtu: https://www.who.int/activities/making-health-facilities-safe-in-emergencies-and-disasters