Policia e Shtetit pritet t’i drejtohet homologëve në Kosovë dhe më pas atyre në Turqi, për të shkëmbyer informacione në lidhje me Fatjon Muratin, i cili dyshohet se është larguar nga vendi.

Kështu u shpreh gazetari i ABC News, Ermal Vija, i cili nënvizoi se Murati mund të jetë larguar në Kosovë, e më pas në drejtim të Turqisë.

“Policia e Shtetit, fillimisht pritet t’i drejtohet autoriteteve apo homologëve kosovarë, për të parë në rast se ai ka bërë një kalim të kufirit nga Shqipëria drejt Kosovës dhe më tej, nga Kosova drejt Turqisë. Do të jenë shkëmbimet e informacioneve mes palës shqiptare dhe asaj kosovare, për të provuar përmes shkresave, nëse Murati rezulton që të ketë kaluar zyrtarisht kufirin nga Shqipëria drejt Kosovës dhe më pas në rast se ai mund të ketë udhëtuar sërish zyrtarisht nga Kosova drejt Turqisë.

Të gjitha këto janë veprime paraprake të policisë së Shtetit, e cila është duke kryer në të njëjtën kohë edhe veprime sa i takon autorësisë në të cilën ndodhi edhe ngjarja e rëndë e 12 marsit, për të bërë të mundur indentifikimin e personave që qëlluan me breshëri në drejtim të familjarëve të Fatjon Muratit”, theksoi gazetari Vija.

Fatjon Murati është pronari i lokalit në “Don Bosko”, në të cilën disa ditë më parë, u vra një banakiere dhe u plagosën 6 të tjerë, pas të shtënave me armë.

Për Muratin, ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, por pak para ngjarjes së rëndë, ai është larguar nga banesa.