Nxënësit e Njësisë administrative Polis në Librazhd do të kenë mundësi që të studiojnë në një shkollë tërësisht të re.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra inspektuan përfundimin e punimeve të shkollës Mirakë-Plane e cila është e pajisur dhe me sisteme ngrohjeje dhe terrene sportive.

Numri dy i socialistëve deklaroi se më në fund nxënësit e kësaj zone do të kenë mundësi ta zhvillojnë mësimin në ambientet e reja të shkollës, e cila është transformuar totalisht. Ai vlerësoi punën e kryebashkiakut Gurra dhe kontributin e Fondacionit “Mirësia”.

“Është shumë e bukur, një shkollë e mrekullueshme. Një investim shumë i mirë. Unë dua të falenderoj Kastriotin për idenë, por mbi të gjitha miqtë që na kanë mbështetur “Fondacionin Mirësia”. Unë mendoj se ky është investimi më i mirë, më i duhuri dhe meritojnë respektin e të gjithë krahinës për këtë punë të mirë që kanë bërë. Më vjen mirë që ka krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha fondacionet e ndryshme të cilat kanë aktivitet në vendin tonë. Ka ditur ta shfrytëzojë shumë mirë për komunitetin e Librazhdit duke bërë këtë dhuratë kaq të bukur”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Kastriot Gurra u shpreh se ndërtimi i kësaj shkolle ka qenë një kërkesë e hershme e banorëve. Ai theksoi se paralelisht po punohet dhe për rikualifikimin urban të qendrës së fshatit.

“Ne kemi filluar poshtë edhe rikualifikimin urban të qendrës së fshatit. Kjo shkollë ishte e domosdoshme sepse na e kishin kërkuar shumë banorët. Falë kontributit të Korabit që e kemi mik të mirë këtu në Librazhd, u bë i mundur ndërtimi i kësaj shkolle, e cila është ndërtuar nga e para. Këtu ka qenë një shkollë e ndërtuar nga vitet 80’ e cila e kishte humbur komplet funksionin për shkak të amortizimit të madh që kishte. Na u desh ta shembnim komplet, të ndërtonim një shkollë nga e para e cila siç e shihni besoj është një nga shkollat më të mira në qarkun e Elbasan. Kemi ndërhyrë edhe me ngrohjen”, u shpreh Gurra.

Shkolla e vjetër ishte ndërtuar në vitet “80 dhe ishte shumë e amortizuar. Godina e re u ndërtua nga Fondacioni “Mirësia” në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd.