U inagurua sot Spitali i ri Qendror në QSUT, një spital krejtësisht i ri i ndërtuar nga themelet për sëmundjet e brendshme, në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e kanë konsideruar këtë investim veprën më madhore në shëndetësi.

“Krenare që përmbyllim një ndër veprat më të mëdha të tre dekadave të fundit në shëndetësi, Spitalin Qendror të QSUT. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Eshtë dashur shumë mund dhe këmbëngulje. Me vizionin dhe mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, i’a dolëm të ngremë nga themelet një spital modern me 345 shtretër, ku do të punojë një staf prej 612 mjekësh, infermierësh, teknikësh, koordinatorësh, punonjësish mbështetës. Në një hapësirë ndërtimi rreth 26 mijë metra katrorë, ku akomodohen 14 shërbime universitare. Një fillim i ri, që do të sjellë një kulturë të re shërbimi ndaj pacientëve”, -tha Manastirliu në fjalën e saj.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se ky spital i ri do të hapë gjithashtu një tjetër shteg për edukimin dhe formimin gjeneratës së re të mjekëve.

“Të mos harrojmë se si Qendër Spitalore Universitare, funksionimi i saj si një bazë mësimore dhe praktike profesionale, ka rëndësi jetike për edukimin dhe formimin gjeneratës së re të mjekëve, që do të shërbejnë në vitet dhe dekadat e ardhshme. Nëntë klasa leksionesh, ambiente ndihmëse, zgjerim të kapaciteteve të bazës praktike i krijojnë mundësinë UMT të vazhdojë me planin e shtimit të kuotave të studimit, dhe vazhdimësinë e hapjes së specializimeve”, – u shpreh Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri me dije se QSUT do të jetë spitali i radhës që po përgatitet të marrë autonominë menaxheriale, e cila mundëson më shumë hapësira vetë-administrimi të burimeve njerëzore, shpërblime në bazë performace dhe rritje të aftësive të stafeve.

Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se më shumë se 2000 mjekë specialistë do shohin të bëhet realitet, zotimi për rritjen e pagës me 500 dollarë për çdo mjek specialistë që punojnë në spitale, duke filluar nga muaji prill.

Ndersa Kryeministri Edi Rama thotë se puna në spitalin publik do të justifikojë shpenzimet dhe mjekët nuk do e kenë më të nevojshme që të punojnë edhe në sektorin publik.

Nga ambientet e spitalit të ri për sëmundjet e brendshme në QSUT tha se mjekëve do i paguhen orët shtesë.

“Puna në spitalin publik do të jetë mundësi për të kryer punë në profesion por për t’u shpërblyer përtej pagës. Në këtë mënyrë do të përfundojë historia e ryshfeteve sepse e dimë mirë që s’është e vërtetë dhe e neverithsme shprehja e rëndomtë sa herë del një mjek përpara ‘hë se këta të lënë të vdesësh po nuk fute dorën në xhep’.
E dimë se realiteti shëndetësor është ndryshe dhe shërbimi jepet dhe merret në kushtet maksimale për të gjithë pa kushtëzuar dhënien e shërbimit.

E dimë që edhe mes bluzave të bardha ka xhagajdurë e të padenjë. Nuk ka pse të paguhet askush nëndorë se mjeku do marrë atë që i takon se do punojë ekstra”, tha Rama.

Ndërtimi i Spitalit Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në Shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 mln euro. Spitali Qendror ka një sipërfaqje ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Me vizionin për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, 5 vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për QSUT. Pas përfundimit të veprave si Spitali Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT, vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, e në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegje-Plastikës në QSUT.