Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi priti në Elbasan homologen e saj nga Kosova Arbërie Nagavci, ku në nder të saj u organizua edhe një koncert në teatrin “Skampa”, me përmbajtje patriotike.

Në fjalën e saj ministrja Evis Kushi u shpreh se: “Një nga prioritetet e punës sonë është ruajtja dhe forcimi i Gjuhës Shqipe, bashkëpunimi për forcimin e identitetit kombëtar, për edukimin e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare tek nxënësit tanë dhe ndaj ky aktivitet është në kuadër të këtij prioriteti të përbashkët që ne kemi. Në kuadër të bashkëpunimit tonë ne kemi shumë nisma, që nga Abetarja, po kështu enciklopedi shqiptare dhe nisma për Gjuhën Shqipe dhe kulturën shqiptare në diasporë. Së shpejti do të zhvillojmë vizita të përbashkëta në qytete të ndryshme të Evropës, për të takuar shqiptarët atje, sepse duam që Gjuha Shqipe, identiteti kombëtar, krenaria kombëtare të ruhen brez pas brezi dhe të forcohen gjithnjë e më shumë. E ku ka më mirë sesa këtë gjë ta bëjmë së bashku.”

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci u shpreh se Synimi i përbashkët është që të ketë sa më shumë aktivitete të tilla, koncerte, ekspozita, konkurse diturie, gara e aktivitete të përbashkëta, por edhe vendime e veprime afatgjata në mënyrë që të afrohemi dhe të krijojmë mundësinë për ruajtjen e gjuhës, identitetit e kulturës tonë kombëtare, të ofrojmë disa gjëra, si Abetarja me të cilën punojnë të gjithë fëmijët, libri “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” të cilin po ashtu e kanë realizuar bashkërisht për t’i ofruar të gjithë fëmijëve ta mësojnë në mërgatë Gjuhën Shqipe.

“Por edhe projekte të tjera në shkencë e në të gjitha nivelet e arsimit në mënyrë që të sigurohemi që thënia “Një Gjuhë, një Komb, një Kulturë” të jetë e manifestuar me sa më shumë veprime konkrete përtej saj që dëshirojmë dhe punojmë të gjithë ne.”- u shpreh Nagavci.

Duke folur për koncertin me përmbajtje të gjerë patriotike, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tha se këto aktivitete janë gjithmonë të mirëpritura, sidomos në Elbasan, në qytetin e shkollës “Normale”, arsimit, në qytetin që i ka dhënë kaq shumë shqiptarisë.

“Kur flasim për Abetaren e përbashkët, për politika të përbashkëta arsimore, për Gjuhën Shqipe kudo në trevat shqiptare, apo në mërgatë, është një gjë shumë e madhe për ne, sepse pikërisht këtu, në qytetin tonë janë vënë bazat, tullat e para të shkollës së mësuesve.” – tha Llatja.