Nga Hergi Llupi

Me Barcelonën ai fitoi dy herë Champions League dhe tre herë kampionatin spanjoll, luajti gjashtë herë për kombëtaren braziliane, por ai është një trajner mesatar në rastin më të mirë. Megjithatë, marrëdhënia mes Silvinjos dhe Shqipërisë duket e arsyeshme. Kombëtarja kërkon të rilind pas një viti 2022 jo të mirë.

Emri i tij ishte i befasishëm në stolin e kombëtares. Mediat përmendën kryesisht emrin e Esteban Cambiasso dhe Besnik Hasi. Është e vështirë të parashikohet se si do jetë ai në krye të kombëtares, por një gjë është e sigurt, skuadra e Shqipërisë është kthyer në një ekip për t’u pasur frikë.

48-vjeçari Silvinjo, një ish-lojtar i Corinthians, Arsenal, Barcelona dhe Manchester City, u bë trajneri i kombëtares së Shqipërisë më 2 janar. Braziliani zëvendësoi Edi Rejën i cili kishte në stolin kuqezi që prej prillit të vitit 2019. Polonia nuk e ka përjetuar mirë atë humbje ndaj Çekisë dhe presioni është i madh për ta në prag të ndeshjes ndaj kombëtares sonë, por nuk do të jetë një detyrë e lehtë për ta, kjo sepse Shqipëria është kthyer si një rival i papërshtatshëm për kundërshtarët.

Zgjedhja e Silvinjos në krye ishte një surprizë e madhe, sepse braziliani arriti rezultate më të mira si lojtar se sa si trajner. Ai luajti 80 ndeshje për Arsenalin dhe 128 për Barcelonën. Ai e mbylli karrierën e tij në vitin 2010 pas një sezoni të kaluar në Angli te City. Më pas, ai filloi si asistent te Cruzeiro, më pas punoi me Sport Recife, Corinthians, Inter dhe nga dhjetori i vitit 2016 si asistent i Tite te Brazili. Silvinjo është një nga ata që ka punuar me më të mirët, si Wenger, Guardiola dhe Mancini.

Edhe pse një trajner pa sukses, ai prap ka një mentalitet luftarak dhe karakter të fortë, gjë të cilat i injekton edhe te ekipi i tij. Silvinjo dëshiron lojë sulmuese. Reja u fokusua më shumë në mbrojtje dhe në kundërsulme. Që në konferencën e parë për shtyp, Silvinjo tha se donte që kombëtarja shqiptare të ishte jo vetëm një ekip i mirëkordinuar, por edhe një grup kolegësh. Braziliani dëshiron që njëri të luftojë për tjetrin. Si shëmbull, ai dha kombëtaren marokene, e cila falë unitetit arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Duket se Silvinjo dëshiron ta kopjojë këtë atmosferë në skuadrën e tij. Kjo duket qartë edhe në pamjet e stërvitjes së Shqipërisë, ai kujdeset për unitetin dhe atmosfera në ekip është më e mira në shumë muaj.

Megjithatë, për Silvinjon dhe Shqipërinë nuk do të jetë e lehtë sot në mbrëmje. Duke marrë parasysh forcën e Polonisë, duhet llogaritur edhe fakti që luhet në stadiumin e tyre të mbushur plot. Në ndeshjen e parë si trajner i kuqezinjve, Silvinjo do të duhet të përballojë këtë sfidë pa Gjimshitin, Ardian Ismajlin, Keidi Bare dhe bomberin Armando Broja.

Shqipëria ka vetëm një synim, të luajë në Gjermani. Në fakt, edhe mediat polake këto ditë i kanë kushtuar shumë shkrime përfaqësueses tonë, ku qartë duket “frika” e tyre në këtë përballje. Polakët i tremben një hapi tjetër fals, duke marrë parasysh edhe faktin se tashmë nuk e dinë se si do të duket Shqipëria me trajnerin e ri që ka ndryshuar komplet mentalitetin e lojtarëve dhe psikologjinë e tyre. Shumë emra të talentuar do të zbresin sot në fushë për të nderuar flamurin kuqezi. A do të jetë e lehtë? Aspak, madje Polonia është favorite, por të gjithë ne shpresojmë për një ndeshje të luftuar dhe të dëshiruar për ta fituar.