Nënkryetari I Bashkisë së Tiranës Arbjan Manziku ka bërë një bilanc të 8 viteve të punëve të Bashkisë së Tiranës. Në një intervistë për News 24, Mazniku theksoi se gjatë kësaj periudhe është ndërhyrë në 1900 segmente rrugës. Ai theksoi se një vëmendje të veçantë kanë marrë dhe rehabilitimi i blloqeve të pallateve.
“ Një punë shumë e madhe është bërë pa dyshim për infrastrukturën dhe gjatë kësaj kohe, riparimi i rrugëve, i trotuareve, shtimi i rrugëve të reja ka qenë një fokus i madh i Bashkisë. Mund t’ju them një sërë numrash, si për shembull:
– janë mirëmbajtuar, rehabilituar 1900 segmente rrugësh.
– Po ashtu ndriçimi publik sot është 97% i qytetit ndërkohë që ishte vetëm 31% në 2015. Pra vetëm 31% e qytetit mbulohej me ndriçim, sot jemi në nivelin 97%
– Janë shtruar 74 kilometra rrugë brenda blloqeve të banimit
– janë ndërtuar 20 kilometra rrugë të reja urbane, pra rrugë që nuk ekzistonin fare janë bërë tërësisht të reja
– janë rehabilituar 100 blloqe banimi
– janë rikualifikuar tërësisht 49 lagje
Në total gjatë këtyre 8 viteve janë bërë më shumë se 110 mijë ndërhyrje të tipit, mirëmbajtje, riparime trotuaresh, rrugëve, ndriçimeve, kanalizimeve të ujërave të bardha e këtu mund të përfshijmë faktin që çdo muaj në mënyrë të përditshme janë 15 mijë pika pusetash të cilat pastrohen në mënyrë sistematike nga Ndërmarrjet e Bashkisë. Që do të thotë se sasia e volumit të punës që bëhet në qytet për mirëmbajtje, riparime e shtim infrastrukture është e jashtëzakonshme”, deklaroi Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë renditi dhe 10 projektet kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës.

10 projektet:

1.Teatri Kombëtar
2.Stadiumi i ri “Selman Stermasi”
3.Një Muze i Artit Modern
4.Kampusi i ri Universitar
5.Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës
6.Qendra e re e Konventave
7.Qendra e Panaireve
8.Muzeu i Tiranës
9.Kopshti Botanik
10.Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”