Kapiteni i kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi trazoi rrugët e Buenos Aires dhe u detyrua të largohej me eskortë policie. Dje në mbrëmje, “Pleshti” darkoi me familjen në një restorant të njohur në lagjen Palermo të Buenos Aires dhe zona përreth u mbush me tifozë që u mblodhën për të parë nga pranë yllin e futbolli.

Messi gjendet në Buenos Aires për ndeshjen miqësore të Albicelesteve me Panamanë, duke gjetur një moment për të qenë pranë familjes. Tifozët duket se e pikasën Messin dhe fjala u përhap shpejt, me tifozët që mbushën rrugët pranë duke dashur të takojnë kampionin e botës.

Gjithçka filloi kur një klient regjistroi Messin duke mbërritur në restorant dhe e ngarkoi videon në internet. Fjala se Messi ishte aty u përhap dhe rruga filloi të mbushej brenda pak minutash. Messi duhet të largohej i shoqëruar nga disa punonjës policie. Megjithatë, disa nga tifozët më fatlumë ia dolën të bënin një foto me Messin.