Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të vijë në një vizitë të dielën në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i Report Tv, Ermal Qori.

Kurti do të zhvilloj një takim me kryeministrin Edi Rama dhe krye parlamentaren Lindita Nikolla.

Ende nuk dihen se për çfarë do flitet ndërsa mendohet se në fokus të bisedës do të jetë marrëveshja e Ohrit me Serbinë.

Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.