06 Mars – Në Kongresin e Parë të Shëndetësisë që ka bërë bashkë politikëbërës, ekspertë shëndetësorë, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj ka bërë me dije risitë për zhvillimet në infrastrukturë dhe shërbime të reja.
“Edhe pak ditë dhe hapim dyert e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme, një strukturë tejet moderne ku qytetarët do të marrin shërbim super cilësor”, – nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ndau lajmin se së shpejti do të sigurohen procedura të reja në strukturat publike si fertilizimi in vitro, transplanti i palcës së kockës dhe trajtimet për insultet cerebrale.
“Investimet në teknologji e pajisje dhe edukimi në vazhdim të profesionistëve që sapo kemi nisur do të sigurojnë edhe shërbime të reja në strukturat publike, si Qendra e Fertilizimit in vitro, Transplanti i Palcës së Kockës dhe trajtimet për Insultet Cerebrale, puna për të cilat ka filluar tashmë”, -u shpreh Manastirliu.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë në Tiranë ka bërë bashkë politikëbërës, ekspertë shëndetësorë, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë në një forum të përbashkët për të ndarë përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog në lidhje me sfidat e sistemit shëndetësor.
Me pjesëmarrje të gjerë me mbi 2000 të ftuar, përfshirë Ministra të Shëndetësisë së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Ministra e deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë, ekspertë të shëndetësisë nga disa vende të botës, ambasadorë, përfaqesues të organizmave kombëtare e ndërkombëtare, mjekë, infermierë e profesionistë të sistemit shëndetësor.