Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me situatën brenda PD-së, teksa ka thënë se ka pasur tentativa për bashkimin e palëve prej muajsh, por përgjigja ka qenë e prerë.

Bardhi zbuloi se negociatat kanë përfunduar me përgjigjen negative të marrë nga Sali Berisha për kërkesën për bashkim, ku sipas tij është “ofruar gjithçka e mundur”.

Sakaq, ai foli edhe për daljen e grupimit të tij me një kandidat për bashkinë e Tiranës, u konfirmoi emrat e Jonila Godoles dhe Roland Bejkos, por tregoi se ka edhe më shumë emra të tjerë që janë propozuar nga Kryesia.

“Ne nuk kemi dalë tani me kandidatë, strukturat kanë propozuar kandidatët e tyre, ku 4 apo 5 janë miratuar në nëntor të vitit 2022. Një pjesë prej tyre kanë nisur prej kohësh, edhe para Primareve, kanë nisur fushatën. Nuk po dilet tani me kandidatë. Ajo që kemi tentuar dhe kemi parë si zgjidhje ka qenë unifikimi me një kandidat.

Kemi ofruar gjithçka që mund të ofrohej nga pjesa ku unë bëj pjesë. Për hir të demokratëve, kemi ofruar disa zgjidhje në mënyrë të vijueshme prej 6 muajsh por nuk kemi marrë kurrë një zgjidhje nga grupi i zotit Berisha.

Negociatat me Palokën vazhduan deri sa pati një përgjigje të prerë nga zoti Berisha. Pati një refuzim të plotë për të gjetur zgjidhje, ne e ofruam zgjidhjen dhe Alibeaj doli me një qëndrim publik për ofertën tonë, por pati refuzim pa dhënë shpjegim. Ka një skenar për të përplasur demokratët mes vetes për zgjedhjet e këtij viti. Nuk ka asnjë dallim me situatën sot me atë që ndodhi në vitin 2019. Është njësoj si të mos hysh fare në zgjedhje, dhe të hysh në zgjedhje me dy kandidatë duke i dhuruar fitoren Edi Ramës.

Si do bëhemi të besueshëm për shqiptarët kur nuk merremi vesh me njëri-tjetrin. Ne kemi bërë çdo përpjekje për të pasur një kandidat dhe sërish do përpiqemi. Ka një refuzim dhe kolegët kanë vendosur të shkojnë në një parti tjetër, gjë që nuk u shkon atyre. I takon asaj pjese të PD-së, pra neve të tregojmë përgjegjshmëri për situatën ku ndodhemi. Kandidatët për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin kanë qenë në tryezën tonë prej disa ditësh. Do të shohim se çfarë do vendosë sot kryesia e PD-së.

Nëse më pyet mua si demokrat nëse do mbështes një parti tjetër, kjo nuk do ndodhë kurrë. Unë jam në PD për vlerat që përfaqëson. Nuk mund të shkoj në parti të tjera që vlerësojnë parime të tjera.

Bejko dhe Godole nuk janë të vetmit që janë propozuar për bashkinë e Tiranës nga strukturat, ka edhe më shumë emra. Nuk ka ende një vendimmarrje, por ka më shumë se 2 emra. Nuk mund të nxjerr dokumentat që kemi në tryezën e punës”, tha Bardhi.