Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë një takimi me kandidatët për Këshillin Bashkiak të forcës politike që drejton ka zbuluar se për cilat arsye mund të dështojë bashkëpunimi me Sali Berishën.

Sipas tij janë vetëm dy arsye, ku e para është bashkëpunimi me kryeministrin Rama, ndërsa shtoi se nuk mund të prishet për çështje kandidatësh apo pozicionesh, por vetëm për interesin kombëtar dhe Kushtetutën. Arsyeja e dytë e Metës është nëse Berisha do të tërhiqet nga firma e tij për referendumin, që sipas nuk tij do ndodhë pasi Berisha “i shkon deri në fund marrëveshjeve dhe fjalës së dhënë”.

“Ka fjalë do prishet Berisha me Metën, nuk jam prishur kurrë me njeri për gjëra të tilla si kandidatë apo ministri e pozicione. Për kushtetutën prishem unë, për interesin kombëtar jam prishur, për gjëra të tilla nuk prishem. Me Berishën prishem për dy gjëra, po bashkëpunoi me Edi Ramën, jo me PS-në, po me Ramën që ka mendjen të blejë e të korruptojë njerëz.

Edhe nëse tërhiqet nga firma për referendumin, që ai nuk e bën se i qëndron marrëveshjeve dhe fjalës deri në fund. Kjo nuk është betejë për Metën e Berishën, por për shqiptarët. Koalicioni do jetë fitues sepse ka në qendër shqiptarët.

Vota e ndëshkimit do bëjë mrekullinë që presin qytetarët dhe shumë socialistë që ndihen të pafuqishëm sepse Rama i ka uzurpuar partinë dhe i ka nënshtruar me rilindasit e tij të korruptuar që i keni parë ku përfundojnë”, tha Meta.