Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, bashkë me kandidatin e PS Andis Salla zhvilluan takime me banorë të disa njësive administrative në Bashkinë e Cërrikut. Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, nënvizoi se nën drejtimin e PS-së, i është kushtuar një vëmendje e madhe zhvillimit të zonave rurale.
“Andi ka hapur një sërë kantieresh gjithë këto kohë. Nuk është rastësi përse ne e rizgjodhëm kandidat për të drejtuar Bashkinë e Cërrikut. Sistemimet, punët e tjera të mëdha do t’i bëjë qeveria. Prandaj ne lidhim mirë dhe qeverinë dhe bashkinë. Ne do të sjellim projektet e mëdha siç ishte dhe rasti i kanalit vaditës që është bërë me investimet e qeverisë, pjesa tjetër do të bëhet me fondet e bashkisë të mirëadministruara. Kur vjen te njerëzit me gjëra konkrete, ndjehesh vërtet mirë”, tha Gjiknuri.

Kandidati Andis Salla u shpreh optimist se investimet në të gjithë Bashkinë e Cërrikut nuk do të ndalen as 4 vitet e ardhshme. Ai theksoi se falë bashkëpunimit shumë të mirë qeveri-pushtet vendor, janë realizuar shumë investime të rëndësishme. “Ne Shalsin e kemi përmbyllur me ciklin 24 orë ujë. Edhe me këtë zonë këtu patjetër që duhet të mbyllim ciklin e plotë për pjesën e asfaltimit të rrugës dhe të ujësjellësit. Me qeverinë shqiptare kemi bërë të mundur një pjesë të hapësirave për tokat bujqësore për kanalet vaditës. Bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm. Brenda pak ditësh kemi pjesën e fundit të asfaltimit të kësaj rruge për të përmbyllur të gjithë ciklin. Është një premtim i mbajtur”, nënvizoi Salla.

Gjiknuri dhe Salla u ndalën dhe në Shtëpanjë të njësisë administrative Gostimë e cila ka njohur një sërë investimesh të rëndësishme. Gjiknuri siguroi se PS do ta mbështesë vazhdimisht Cërrikun dhe në shumë projekte të tjera. “Ju e keni parë vetë dorën e pushtetit, investimet e qeverisë që kanë të bëjnë me energjinë elektrike dhe këto që po bën Andi. Ne si qeveri shqiptare dhe si Parti Socialiste me përfaqësuesit këtu do ta mbështesim vazhdimisht Cërrikun edhe me punë të tjera. Unë e besoj shumë mirë se çfarë do të thotë për një fshat që ndër vite ka kërkuar që ti bëhet rruga. Mbështetja në këto zgjedhje nuk është vetëm mesazh për Andin ,por është dhe për ne të tjerët”, deklaroi ai.

Ndërkaq, në takimin me banorët e Shtërmenit numri dy i socialistëve u shpreh se PS e ka treguar me vepra se di të mbajë premtimet. “Jo më kot ne e kemi rikandiduar Andin dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithë fshatit për këtë djalë sepse ky e ka treguar me vepra. Realisht ky di ta përfaqësojë me dinjitet Cërrikun. Ky nuk është vetëm ka dhe qeverinë e Edi Ramës nga mbrapa që e mbështet, më ka mua, ka edhe deputetin. Këtu është një ekip i plotë politik që do bëjë më të mirën për Cërrikun dita – ditës”, deklaroi Gjiknuri.