Shirgjani ishte ndalesa e radhës e Sekretarit të Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri, Kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe deputetes Desantila Tahiraj. Ata zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e kësaj njësie administrative në Elbasan ku diskutuan mbi investimet e realizuara dhe projektet e së ardhmes.

Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut u shpreh se një vëmendje të veçantë kanë marrë këto vite në Elbasan dhe investimet në fshat. “Fshati kërkon vëmendje nga qeveria për infrastrukturë, ujin, rrugët, energjinë dhe patjetër këto mirëmbajtjet që tha bashkia, pjesa e kanaleve vaditëse e gjithë këto të tjerat. Më vjen mirë se bashkia e ka treguar veten shumë të aftë në këtë drejtim”, tha ai.

Numri dy i socialistëve renditi dhe një sërë investimesh të rëndësishme në këtë zonë që pritet t’i japim një zhvillim ekonomisë lokale. “Pa pasur qeverinë Socialiste në krye dhe pa pasur mbështetjen e qeverisë edhe këto që thotë Gledi është e vështirë të bëhen. Ky e ka besimin e kryeministrit, i ka dhe projektet, i ka dhe mundësitë. Shumë shpejt do të fillojmë dhe vazhdimin e unazës bujqësore. Pra, kjo do të bëhet një unazë e plotë që lidhet dhe me pjesën e Cërrikut dhe komunikimi bëhet shumë më i mirë. By-passi’ i Elbasanit do lidhet patjetër dhe me këtë rrugë. Ato para’ që mbledh i ka mirëadministruar në funksion të ndarjes së prioritetit dhe në fshat dhe në qytet. Qeveria këtu do të ndihmojë me projektet e mëdha për qytetin. Për vepra të mëdha si ‘Automotoparku’, për këto rrugët kryesore që do t’i bëjë qeveria. Aftësia e bashkisë është që taksat tuaja ti mirëadministrojë dhe të ndërhyjë në ato probleme që ka fshati”, deklaroi ai. Gjiknuri shtoi se Elbasani ka një perspektivë shumë të mirë zhvillimi me ndërtimin e ‘By-passit’, që do të lidhë më mirë megjithë ‘Koridorin 8’.

Ai theksoi se PS ka treguar se di të bëjë punë të mira, ndryshe nga opozita e cila ofron vetëm propagandë. “Ne prandaj edhe e kërkojmë mbështetjen e mëtejshme nga qytetarët. Jo vetëm thjesht se duam të kurorëzojmë përfaqësuesin tonë në krye të bashkisë si Parti Socialiste, por të jetë një njeri që të vazhdojë projektet e nisura. Ne nuk duam që bashkia e Elbasanit të kthehet thjesht në tribunë politike. Se çfarë thotë kundërshtari? Kundërshtari ka vetëm foltoren të bëjë një mini-foltore në Elbasan. Nga foltorja e Tiranës do të bëjë foltoren e Elbasanit. Çfarë ofron ai? Asnjë gjë nuk ofron ai, vetëm llafe. Nuk ka nevojë Elbasani as për foltoren e Sali Berishës as për foltoren e Ilir Metës. Ka dalë Ilir Meta bashkë me Luçiano Boçin tani po bëjnë propagandë. Pse duhet Elbasani të votojë për Ilir Metën dhe Sali Berishën? Jo, Elbasani voton për djemtë e vet. Elbasani nuk ka nevojë të nxjerrë figurë politike për të bërë revolucion e përmbysje siç duan ata”, theksoi Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Elbasanit në zgjedhjet e 14 majit për t’i çuar përpara punët e nisura. “Pala tjetër nuk ka asnjë lloj alternative. Tani janë ‘tërbuar’ fillojnë përditë me nganjë sulm. Jo s’është përfunduar kjo rrugë, jo ka vrarë kryetari i bashkisë qentë natën, ca banalitete të para 20 vjetëve. Ata ofrojnë slogane ne ofrojmë punë konkrete. Ne s’kemi nevojë për slogane. E kemi treguar me vepra që dimë të bëjmë më shumë se ata dhe përditë po përpiqemi të bëjmë më shumë. Jam i bindur që e ardhmja është shumë shumë më e mirë se ç’është tani po dhe në perspektivën e afërt ne kemi disa projekte të nisura me qeverinë e Edi Ramës. Por që t’i çojmë tutje ato ne patjetër na duhet edhe Bashkia e Elbasanit për t’i çuar përpara punët e nisura. Çdo lloj eksperimenti tjetër do na kthjejë në ‘riciklim’”, nënvizoi numri dy i socialistëve, Damian Gjiknuri.