Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se ndarja e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha është përfundimtare.

Komentet Bardhi i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ku u pyet nëse do të bënte fushatë për kandidatët e Berishës në zgjedhjet lokale, nëse Kryesia e PD vendos të dalë në zgjedhjet lokale vetëm me kandidatë për këshilltarë bashkiakë.

Ai shtoi se është pjesë e një grupimi që përdor arsyen në vend të mllefit dhe inatit që sipas tij po bën “mish për top” demokratët.

Bardhi: Në lidhje me skenarët si do dilet në zgjedhje, janë disa në diskutim. Qëllimi ynë, fitorja e PD në zgjedhje. Ky vijon të jetë objektivi ynë.

Ka një pjesë brenda PD që ka qëllime të tjera me ne. Kryesia, do marrë një vendim të përgjegjshëm në raport me momentin ku ndodhet PD dhe për të ardhmen e saj, nuk duhet të mendojmë vetëm për momentin, por atë që do vijë nesër për PD dhe gjithë Shqipërinë.

Nisida Tufa: Nëse do fitonte vetëm varianti për të dalë me këshilltarë, do bënit fushatë me zotin Berisha?

Bardhi: Ndarja ime me të është finale. Jam pjesë e një grupimi që përdor arsyen në vend të mllefit, përdorim përgjegjshmërinë në vend të inatit që bën mish për top demokratët.