Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi mori pjesë sot në konferencën e asamblesë së përgjithshme të Konfindustrisë në Shqipëri me temë “Inovacioni dhe kapitali njerëzor”.

Ekonomi bëri të ditur se, ofrimi i 1227 e-shërbimeve solli një moment të ri edhe për bizneset dhe qytetarët në Shqipëri.

Sipas saj, ruajtja e burimeve të afta njerëzore është një sfidë e sipërmarrjes.

“Ngjarjet e fundit në vend, rajon apo edhe ato globale, kanë sjellë padyshim nevojën për ndryshime të shpejta në drejtimin e një biznesi. Zhvillimi i ekonomisë së dijes, ku idetë e reja dhe aftësitë profesionale përfaqësohen nga inovacioni dhe kërkimi shkencor, vendosin në qendër burimet njerëzore si kyçi i suksesit. Ofrimi i 1227 e-shërbimeve solli një moment të ri edhe për bizneset dhe qytetarët në Shqipëri. Kjo patjetër që kërkoi më shumë zhvillime digjitale dhe aftësi të reja në fushë, por edhe rregullime procedurale dhe lehtësira fiskale”, tha ajo.

Akumulimi i njohurive, vuri në dukje Ekonomi, krijoi bazën për zhvillime të mëtejshme, të kërkuara nga tregu i brendshëm dhe i jashtëm.

“Ndaj përpjekja për të ruajtur burimet e afta njerëzore është një sfidë e sipërmarrjes që operon në Shqipëri. Sot sipërmarrja duhet të ndryshojë të bërit biznes, jo vetëm në aspektin e pagave, por edhe në aspektin e trajtimit të punonjësve, e trajnimeve, e motivimit dhe kërkimit shkencor, si dhe në aspektin e modernizmit”, theksoi ministrja.

Nga të dhënat e Konfindustrisë rezulton se, 35 mijë studentë shqiptarë, kanë përzgjedhur degët e teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, duke pasur si qëllim edukimin për të qenë të aftë ne një treg pune gjithnjë në rritje cilësore dhe duke u bërë kështu një burim i mirë për aktivitete ICT/Bop (kontraktimit për procese të biznesit).