Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët që më 14 Mars, Ditën e Verës, të bëhen pjesë e aktiviteteve të shumta që do të organizohen në kryeqytet.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, ka publikuar axhendën e mbushur me mbi 100 aktivitete në vende të ndryshme në kryeqytet.

“Evente festive dhe sportive pafund, eja festojmë bashkë ‘Ditën e Verës’, në Qytetin e Rinisë dhe Sportit. Zgjidh vendin ku do na bashkohesh”, shkruan Veliaj.

Sikurse shfaqet ne posterat e publikuara nga vetë Veliaj në sheshin “Nënë Tereza” duke filluar nga ora 09:00 do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të ketë lojra popullore, shfaqe të Teatrit të Kukullave, animatorë, shfaqe cirku etj. Parku i Liqenit artificial do të jetë një hapësirë dedikuar fëmijëve. Ndërsa te kryeministria do të ketë ekspozitë të makinave të ushtrisë, lojëra etj.