Cristiano Ronaldo ka qenë protagonist në ndeshjen e fundit me Al Nassr. Kundër Abha, 38-vjeçari portugez ka qenë vendimtar dhe jo vetëm për golin e shënuar me goditje dënimi që i ka hapur rrugën përmbysjes së skuadrës së tij.

Ish-lojtari i Real Madrid, Juventus dhe Manchester United ka qenë protagonist edhe i një gjesti të bukur bujarie në fundin e ndeshjes që ka ardhur për shkak të një situate shumë të veçantë.

Menjëherë pas golit të barazimit, CR7 ka festuar në mënyrë të zemëruar, duke çuar disa herë duart drejt qiellit për të kërkuar një mbështetje më të madhe nga ana e publikut.

Barazimi ka ringjallur Al ANssr që në minutën e 86-të ka pasur mundësinë të përmbysë rezultatin. Penallti në favor të skuadrës së Rudi Garcia, me Cristiano Ronaldo-n që e kishte marrë topin dhe ishte gati ta ekzekutonte.

Megjithatë, pak më mbrapa ka ardhur gjesti i bukur, me sulmuesin që ia ka kaluar sferën Talisca-s, duke ia lënë atij penalltinë. Braziliani nuk ka dështuar dhe ka festuar pikërisht duke falënderuar portugezin.

Dhe pas ndeshjes nuk i ka kursyer elozhet për Cristiano Ronaldo-n: “Cristiano është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i respektuar. Ka treguar respekt ndaj meje kur më ka lënë penalltinë. Jemi një familje”, ka thënë Talisca.

Po cila është arsyeja që Ronaldo ia la penalltinë Talisca-s? Në një video mund të vihet re se kanë qenë vetë lojtarët kundërshtarë që i kanë sugjeruar portugezit t’ia linte penalltinë brazilianit. Dhe në video shihet CR7 që i jep dorën një lojtari kundërshtar. Talisca, nga ana tjetër, është në garë për çmimin e golashënuesit më të mirë të kampionatit dhe Këpucës së Artë.