Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një lidhje live me “Top Story”, thekson se asnjë parti politike nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, nëse deklarata e kryetarit të partisë nuk shoqërohet me nënshkrimin e tij.

Lulzim Basha ka autorizuar Enkelejd Alibeajn, në funksionin e kryetarit të komanduar, por është përgjegjësi personale e kryetarit të zgjedhur me votë të nënshkruajë këtë deklaratë, thotë Celibashi. “Nuk dimë faktet, me siguri mund të thuhet se kjo deklaratë duhet të paraqitet nga kryetari i partisë politike. Nëse në gjykata rezulton nëj emër dhe një mbiemër i kryetarit të asaj partie, duhet të jetë nga ai nënshkrmi”.

Mungon dhe deklarimi formal për dorëheqjen e Bashës, shton kreu i KQZ-së dhe “në vlerësim të këtyre fakteve, nuk ka asnjë mundësi që të injorohet kjo kërkesë e kodit zgjedhor”.
I pyetur nga Grida Duma, nëse Partia Demokratike rrezikon regjistrimin, në rast se Basha nuk sjell një deklaratë të tillë, Celibashi përgjigjet: “Në vendimin e sotëm, u tha qartë se ia kthyem PD-së dokumentacionin për plotësim, duke i thënë se deklarata e partisë nuk është në përputhje me ligjin dhe parashikimet e kodit zgjedhor. Nuk mund të jetë një autorizim i përgjithshëm. Nuk mund të pranoj që deklarata, sipas të cilit kryetar i partisë sikurse kodi zgjedhor ka përcaktuar duhet të mbajë përgjegjësi, të anashkalohet”.

Këtë të enjte, Lulzim Basha u njoh si kryetar i Partisë Demokratike nga komisioni qendror i zgjedhjeve.
Të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD bazuar në dokumente zyrtare e ka Lulzim Basha, tha Celibashi.

Por, edhe pse mori konfirmim si kryetar, Lulzim Basha nuk mundi ta regjistrojë partinë në zgjedhje, për shkak se dokumentet e dorëzuara në KQZ kishin mangësi dhe ishin të paqarta. Pengesa më e madhe ishte autorizimi që i jepte të drejtën Enkelejd Alibeajt të përbetohen në emër të Lulzim Bashës që nuk do kryente krime zgjedhore.
Vendimmarrja nuk u prit mirë nga përfaqësuesi ligjor i Bashës, i cili paralajmëroi ankimin në komisionin e sanksioneve dhe ankesave. Vendimi pritet të kundërshtohet edhe nga Sali Berisha, i cili tashmë shpresat i ka tek aleatët për t’u regjistruar në zgjedhjet e pranverës.