Një deklaratë e kryeministrit Rama në 13 Janar të këtij viti, është përdorur nga mediat pranë opozitës gjatë ditës së sotme, për të fabrikuar një tjetër lajm abuziv.

Kështu, disa media shkruajnë se Rama është tërhequr nga premtimi i tij për t’i dhënë pensionistëve një bonus gjatë muajit prill, madje akuzojnë kryeministrin se ai ka mashtruar pensionistët.

Në të vërtetë, Kryeministri nuk ka deklaruar se bonusi i radhës për pensionistët do të jetë gjatë muajit prill.

Në 13 janar, Rama njoftoi se “me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programojmë një tjetër bonus për pensionistët”.

Me pak fjalë, Rama pati njoftuar se sapo të mblidhet taksa nga eksportuesit e energjisë, do të fillojë të programohet, pra të planifikohet një tjetër bonus, pa asnjë datë fikse për shpërndarjen e tij, sikurse pretendojnë mediat e opozitës.