Publikimi i listave për këshillat bashkiake, bëri të qartë se mes Sali Berishës dhe Ilir Metës/aj, ka një marrëveshje e cila praktikisht shkrin “foltoren” e Sali Berishës brenda ish LSI.

Dy të tretat e pjesës së mundshme fituese të listës së koalicionit të tyre në Tiranë janë nga ish-LSI, çka tregon se marrëveshja për koalicionin, ka funksionuar përmes një procesi poshtërues për demokratët e Berishës.
Argumenti se koalicioni u bë nga nevoja për “vulën” është qesharak. Koalicioni u bë nga nevoja që ka Sali Berisha që në këto zgjedhje të shkatërroj çdo ishull opozitar në vend, duke e kthyer opozitën në monopol të dyshes Berisha Meta/j.

Partia Demokratike zyrtare i ofroi Berishës pa e poshtëruar që kandidatët e tij të regjistroheshin nën siglën e Partisë Demokratike, duke ruajtur kështu dinjitetin e demokratëve. Ai jo vetëm që nuk e pranoi duke e quajtur provokim, por i strehoi kandidatët e partisë gjoja antikomuniste nën firmën e Ilir Meta/j, një i akuzuar për bashkëpunëtor sigurimi, dhe i shiti atij dhe gjithë listën e këshillave bashkiake. Në Tiranë gjithë lista e mundshme fituese është me njerëz të LSI dhe pjesa tjetër me demokratë të Berishës që janë nën kontrollin e Ilir Metës/aj. Askush që nuk e do Ilir Metën/aj, nuk është në pjesën fituese të listës.

Kjo është përtej shprehjes popullore që Berisha “për një plesht djeg gjithë jorganin” Në këtë rast ai ka djegur gjithë demokratët vetëm që të bashkëjetonte me një plesht si Ilir Meta/j dhe jo të kandidonte me vulën historike të Partisë Demokratike. Dhe këtu ka një strategji që ka nisur prej kohësh. Qysh më 6 Mars Berisha zgjodhi Ilir Metën/aj, si partner në koalicion, për ti mësuar demokratët me idenë që ai do të jetë pasardhësi i tij. Gjithë fushata e 6 Marsit bëhej nën thirrjet që të votohej PD më një flet votimi ku partia e vetme ishte LSI.

Në këto zgjedhje është e njëjta histori. Sali Berisha del e flet në mënyrë të paligjshme në emër të PD, ndërsa kandidatët për kryetar i ka futur nën firmën e Ilir Metës/aj, ndërsa listat ja ka shitur të gjitha atij. Në fund të procesit, kur të llogaritet rezultati proporcional marrëveshja është e tillë që do të quhet 50 për qind vota të Berishës dhe 50 për qind të Ilir Metës/aj. Kjo është shitja zyrtare e rezultatit të PD historike tek Meta/j.

Pra më 15 maj në rezultatet zyrtare, Foltorja e Berishës dhe Partia e Lirisë do të jenë dy gjysma të barabarta , pavarësisht se kush ka pasur peshë në atë rezultat. Dhe kjo do ti hap rrugë për të ardhmen Foltores që ta pranoj Ilir Metën/aj, si pasardhës zyrtar të Berishës në atë parti, pasi është njeriu që trashëgon gjithë arsyet dhe problemet përse Berisha shkatërroi Partinë Demokratike për të bërë një bllok të ri opozitar, qëllimi kryesor i të cilit është të marrë monopolin e opozitës shqiptare.

Këto janë zgjedhjet më politike të tij, pasi në këto zgjedhje atë e shqetëson më shumë një kandidatë dhe një votë për Partinë Demokratike se sa 800 mij vota për Edi Ramën. Ai thjeshtë do që pas tij të mos ketë më PD. Dhe për të qenë i sigurt dhe në varr, po u lë Ilir Metën.