Presidenti i Këshillit Evropian Charles, Michel premtoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke shtuar se liderët e BE-së do të “rrisin masivisht prodhimin e municioneve për t’i dërguar në vendin e shkatërruar nga lufta”.

Michel u takua me presidentin rumun Klaus Iohannis në Bukuresht, ku të dy udhëheqësit diskutuan mbështetjen e BE-së për Ukrainën, çështjet e sigurisë në Moldavinë fqinje dhe përpjekjet e Rumanisë për t’u bashkuar me zonën Shengen, raportoi AP.

“Ne po e rrisim përsëri mbështetjen tonë ushtarake dhe javën e kaluar ramë dakord që të dërgojmë urgjentisht një milion copë municione në Ukrainë,” tha Michel në një konferencë për shtyp.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të BE miratuan javën e kaluar një plan për një procedurë të përshpejtuar prokurimi për negociatat e drejtpërdrejta me furnizuesit e municioneve në Evropë dhe planifikojnë të dërgojnë një milion fishekë municioni në Ukrainë gjatë 12 muajve të ardhshëm.