Bashkia e Elbasanit ka përgënjeshtruar Luçiano Boçin lidhur me disa pamje të publikuara prej tij në rrjetet sociale e më pas në media si gjoja shpërndarje ndihmash nga kjo bashki. Përmes një njoftimi për media, Bashkia Elbasan sqaron se ndihmat e shpërndara janë një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën” të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Keqardhje për spekulimet e ulëta politike të lëshuara në publik nga shtetasi Luçiano Boçi ndaj institucionit të Bashkisë së Elbasanit.
Pamjet e shitura prej tij në rrjetet sociale e më pas në media si gjoja shpërndarje ndihmash nga Bashkia e Elbasanit në fakt janë as më pak e as më shumë se sa një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën” të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit”.

Më tej në reagim thuhet se i vetmi ndryshim nga vitet e shkuara është se shtetasit Luçiano Boçi i janë errësuar sytë në ëndrrën e tij për të pushtuar Bashkinë e Elbasanit. “Ëndërr për të cilën është gati të njollosë e bëjë pis çdo komunitet fetar, çdo organizatë joqeveritare, çdo institucion publik, çdo qytetar të  Elbasanit.
14 Maji do jetë dita kur Luçiano Boçi do të marrë përgjigjen e merituar si mëkëmbësi i Sali Berishës dhe Ilir Metës”, theksohet në reagim.

Në njoftim thuhet se Bashkia e Elbasanit ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në përkrahje dhe mbështetje të shtresave në nevojë. “Bashkia e Elbasanit gjithashtu falenderon dhe i shpreh mirënjohje çdo organizatë bamirësie në përpjekjet e tyre të përvitshme, larg çdo ndikimi politik, për të ndihmuar sa më shumë familje në nevojë”, theksohet më tej në njoftim.