Humbja në Marok nuk është parë si dramë në Brazil. Edhe pse ka pasur pakënaqësi, veçanërisht në adresë të gjyqtarit, përparësi absolute për federatën e këtij vendi është trajneri i ri. Emri më i lakuar është ai i Karlo Ançelotit, trajnerit aktual të Realit të Madridit.

Presidenti i federatës braziliane, Ednaldo Rodrigez, ka qenë i drejtpërdrejtë, duke e bërë të qartë se italiani është kandidati numër një për të marrë drejtimin e 5 herë kampionëve të botës në qershor.

“Ançeloti duket një zgjedhje optimale. Ai gëzon besimin e plotë jo vetëm të lojtarëve, por edhe të tifozëve – deklaroi presidenti i federatës braziliane – Ançeloti respektohet jo vetëm nga lojtarët aktualë në ekip, por edhe nga lojtarët e brezave të kaluar që kanë luajtur me të. Gjithashtu ai gëzon dhe respektin tim të sinqertë për vetë punën e tij, profesionalizimin, cilësinë që gëzon. Ai është një trajner i klasit botëror, që ka fituar shumë dhe kudo dhe që uroj të vijojë të fitojë sërish”.

Por Ançeloti nuk gëzon vetëm besimin dhe respektin e lojtarëve të Brazilit. Ai ka mbështetje maksimale edhe mes tifozëve brazilianë. Këtë e ka konfirmuar edhe Ednaldo Rodrigez.

“Ançelotin e duan edhe tifozët. Në çdo stadium në Brazil që shkoj emri i parë që më kërkojnë tifozët është ai Ançelotit. Të gjithë flasin me admirim dhe mirësjellje për të për vetë punën e shkëlqyer që ka bërë në karrierën e tij si trajner. Thjesht duhet të kemi besim në Zot dhe të presim momentin e duhur për të marrë vendimin e duhur për trajnerin e ardhshëm të kombëtares”, tha numri një i federatës braziliane.