Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka besim se Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në të gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas tij, marrëveshja duhet të shënohet në histori pasi sjell normalizimin e raporteve mes 2 vendeve.

“Ndoshta është shumë herët për të thënë. Shpresoj se Marrëveshja e Ohrit do të shënohet në histori. Nga njëra anë, si pika nga e cila filloi normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe bëri që kufijtë të bashkojnë njerëzit, dhe jo të ndajnë. Gjithashtu, se do të jetë një pikë kthese nga e cila filluam të merremi me çështjet ekonomike në radhë të parë dhe bashkëpunimin ekonomik”, ka thënë Hill.

Megjithatë shprehet se SHBA do të donte që kufijtë e Ballkanit duhet të jenë sipas konceptit të ‘Open Balkan’ për t’i afruar njerëzit më shumë me njëri-tjetrin.

Hill thotë se SHBA-ja do të angazhohet për të ndihmuar pjesë të ndryshme të rajonit për të gjetur rrugën e tyre përpara.

“Duhet thënë se kjo marrëveshje e zhvendos përgjegjësinë te të gjithë ne që të bëjmë përpjekje për ta ndihmuar këtë rajon të forcohet dhe të përparojë përmes zhvillimit ekonomik. Të gjitha vendet dhe banorët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përpjekje për ta afruar rajonin me BE-në përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe kjo nuk është detyrë politike, por në radhë të parë ekonomike”, ka deklaruar Hill.