Përgjatë ditës së sotme, mediat pranë opozitës iu rikthyen raportimeve mbi hetimet ndaj ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal në SHBA.

Sipas tyre, juria e Madhe në Gjykatën e New Yorkut ka kërkuar konfiskimin e të gjitha pronave, sendeve personale dhe llogarive bankare të Charles McGonigal, të cilat rrjedhin nga pagesat që ai ka marrë nga oligarku rus Deripaska.

Por ajo që nuk sqarojnë qëllimisht mediat pranë opozitës, është fakti se kjo dosje nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë.

Për kujtesë, drejtësia amerikane hapi dy dosje hetimore ndaj McGonigal, një në New York ku u hetuan marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Deripaska dhe një dosje e dytë, e hapur në Uashington, ku ai akuzohet për mosdeklarimet e udhëtimeve apo takimeve në Shqipëri, Ballkan e Europë.

Lajmi të cilit i referohen sot mediat e opozitës, mbi pretendimet e jurisë së New Yorkut për konfiskim të pasurive të Mcgonigal nuk ka të bëjë aspak me dosjen e Uashingtonit, ku përmenden udhëtimet e padeklaruara të McGonigal në Shqipëri dhe Ballkan.