Për garën e zgjedhjeve lokale të 14 majit, gjashtë deputetë pritet të dorëzojnë mandatin pas disa ditësh. Ata të hënën do të regjistrohen si kandidatë për kryetarë bashkie pranë KQZ-së.

Në Tiranë përballë Erion Veliajt do të jetë deputeti Belind Këlliçi nga koalicioni ”Bashkë Fitojmë”. Sipas listës, mandati i takon më të votuarit, që është Asllan Dogjani dhe që pritet të rikthehet si deputet i PD-së.

Partia Socialiste do të sakrifikojë vetëm dy ligjvënës. Riskun më të madh e ka marrë Benet Beci, i cili po ngulmon të fitojë një bashki të cilën socialistët nuk e kanë fituar kurrë. Por largimi i tij risjell në skenë Ilir Beqajn. Ai do të marrë një biletë nga KQZ-ja për t’u rikthyer në Kuvend. Nga PD-ja e Sali Berishës është Zef Hila për Vaun e Dejës, duke i siguruar një mandat Ludovik Hasanit, teksa Bardh Spahia do ta refuzojë mundësinë për tu ribërë deputet, në përpjekje për të mbajtur bashkinë.

PD-ja zyrtare mund të kandidojë në Malësi të Madhe deputetin Ramadan Lika, gjë e cila ende nuk është konfirmuar, por nëse ndodh do të rikthejë si deputete Izmira Ulqinakun. Në Elbasan, PS-ja do të ketë deputet të ri Shkëlqim Bullarin, i cili zë vendin e Besjan Ajazit që do të garojë për Gramshin. Kurse për bashkinë e Elbasanit, koalicioni ”Bashkë fitojmë”, do të jetë në garë me Luçiano Boçin, dhe që vendin e tij në Kuvendn do ta zërë Qani Xhafa.